Teuta e mbylli sezonin që lamë pas në vendin e 6-të në Superiore. Si fillim trajner kishin Edi Martinin, ndërsa më pas “timonin” e mori në kontroll tekniku Bledar Hodo, i cili ia doli të siguronte mbijetesën.
Një ekip i cili bëri mjaft mirë, kjo falë edhe drejtuesve e presidentit Edmond Hasanbelli. Pikërisht këtij të fundit, i ka ardhur një ofertë e papritur. Sipas shtypit të shkruar, presidenti i cili ka 26 vite në krye të klubit durrsak, në rrugë jozyrtare ka marrë një ofertë për të shitur Teutën.
Bëhet me dije se vlera që i është ofruar është plot 10 milionë euro. Megjithëse, kjo shumë nuk do të ishte e gjitha në para. 5 milionë euro do të ishin të tilla, ndërsa 5 të tjera mund të kalohen si pasuri të paluajtshme.
Siç raportohet, momentalisht Hasanbelli u ka kthyer përgjigje negative ofruesve, por nuk u ka mbyllur derën.