Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot se rreth 50% e fletëve të votimit janë shpërndarë tek zgjedhësit që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Por procesi që po zhvillohet për herë të parë në vendin tonë nuk ka kaluar pa probleme! Problematikat nga më të ndryshimet janë referuar nga vetë votuesit. Një prej tyre, shkruan në rrjetin e saj social “Facebook”, njofton se postieri e kishte lënë zarfin e tij tek fqinja.
“Erdhën! Nuk paskej qënë aq e vështirë sa dukej, postjeri jo vetëm personalisht që nuk na kërkoi, por as pjestar të familjes nuk kërkoi, u mjaftua që komshia i tha i marr unë, ja dha dhe komshia na i solli kur u kthyem nga puna,”-shkruan qytetari në rrjetin e saj.
Edhe pse kjo është një mënyrë rreptësisht e ndaluar. Çdo postier i kompanisë “DHL” ka për detyrim që të dorëzojë zarfin në adresën e shënuar, dhe marrësin ta identifikojë me kartë identiteti për t’u siguruar që vota po shkon tek personi i duhur. Mesa duket nuk ka ndodhur kështu.
Në këtë postim, ka pasur një reagim nga gazetarja Esiona Konomi, e cila e sqaron edhe njëherë procedurën sesi duhet të dorëzohet fleta e votimit.
“Duhej ta kishte bere me mjet identifikimi, sikunderse identifikohemi ne kur shkojme tek Qendra jone e votimit. Nëse ka ndodhur vërtetë kështu (e ky nuk është denoncimi i vetëm), DHL ka shkelur rëndë kontratën 10 milionë euroshe me KQZ Shqiperi. Fletët e votimit nuk mund të trajtohen si broshura ku shiten lavatriçe,”-i përgjigjet gazetarja.
Por ky postim duket se ka sjellë reagimin e shumë emigrantëve të tjerë që kanë pasur eksperienca të ngjashme në disa vende të ndryshme të botës, si në Gjermani, ashtu edhe në Kanada.
Komentuesi 1: E njejta gje ka ndodhur edhe ne Gjermani, madje per dorezimin postieri eshte shprehur se nuk e ka per detyre ta marri zarfin e votes.
Komentuesi 2: Po e vertet dhe mua me erdhi dje dhe te kutia postare e kishin lene. Po thuaj jemi gjermani dhe se levis kush.
Komentuesi 3: Ne rastin e Kanadase, postieri kerkonte firme, por pa e verifikuar nese personi qe firmos eshte ai qe i ka ardhur vota. mjaftohej me fakti qe ishte ne numrin e sakte te shtepise.
Të tjerë në platforma të tjera shkruajnë: Sapo mora zarfin që KQZ ka nisur për diasporën… te shkallët e shtëpisë! Kryetari i KQZ-së e promovoi me bujë: ‘do t’ua japë postieri i DHL në dorë çdo personi përkatës’. Mashtrime pa fund në kurriz të këtij populli. Zarfi ishte në emrin e bashkëshortes time, e cila është në punë pasdite. Lehtësisht e verifikueshme. Dhe postieri… e la tek shkallët!
“Rreth orës 10:00 erdhi korrieri dhe ma dorëzoi fletën e votimit pa më parë fare në sy, pa më pyetur për emrin apo dokumentin e identitetit. Ma la aty dhe u largua menjëherë.”
“Isha ulur jashtë, te bari, kur pashë furgonin e DHL. I thashë ‘Mirëdita!’ dhe ai më pyeti: ‘Je shqiptar dhe voton?’ I thashë ‘Po.’ Ai më dha fletën e votimit dhe iku. Asnjë verifikim, asgjë.”
Por ka edhe një precedent tjetër! Një emigrante shqiptare, e cila jeton prej vitesh në Itali ka shpërndarë një video ku tregon se ka marrë zarfin me të gjithë komponentët përkatës, përveç fletës së votimit. Rrjedhimisht, ajo nuk ka mundësi që të shprehë vullnetin e saj për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, edhe pse për zarfin e saj është paguar.
“Më kanë dërguar postën për të votuar pasi i bëra të gjitha dokumentat që më kërkuan. Ky është zarfi, fleta e udhëzimit, zarfi B që praktikisht ishte me zarfin A brenda. Dhe zarfi A nuk ka asnjë lloj flete. Pra mua më mungon fleta e votimit. Kam mbetur pa fjalë. Kjo është tallje,”-dëgjohet teksa thotë në video qytetarja.
Kostoja e paguar nga buxheti i shtetit për shërbimin e postës është 9.2 milion eurpo, pra gati 10 mln euro. Të gjitha këto para janë marrë nga kompania “DHL” për të kryer shërbimin e nevojshëm për të gjithë qytetarët që këto zgjedhjet për herë të parë votojnë. Ndërkohë që qytetarët i shpalosin hapur ankesat e tyre në rrjetet sociale, ende nuk ka asnjë reagim nga KQZ-ja. Nuk dihet nëse institucioni ka bërë ndonjë ankimim pranë kompanisë për mënyrën sesi po e ofrojnë shërbimin për të cilin janë paguar./ZËRI