11 MAJI/ Berisha: Hasani thirri në zyrë vëzhguesit ndërkombëtarë dhe i kërcënoi. OSBE/ODIHR: Nuk është e vërtetë

Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se ministri i Jashtëm Igli Hasani, ka kërcënuar përfaqësuesit e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit. Në konferencën për mediat që mbajti një ditë më parë, Berisha tha se është informuar se vetë ministri Hasani ka thirrur në zyrë përfaqësuesit e misionit të vëzhguesve, pasi ka dërguar mesazhe kërcënuese dhe u ka kërkuar llogari për raportin.

“Në mënyrë konkrete, presion antiligjor, antidemokratik është bërë ndaj ekipit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR dhe unë këto i kam denoncuar në të gjitha instancat ndërkombëtare dhe publikisht. Dhe në këtë fushatë presioni është i implikuar, vetë personalisht Edi Rama dhe ministri i tij i Jashtëm, Igli Hasani. Unë kam informuar se, ky i fundit ka thirrur në zyrë përfaqësuesit e misionit të vëzhguesve, pasi ka dërguar mesazhe kërcënuese dhe u ka kërkuar llogari për frazat, se këta janë ai sekt që besojnë gënjeshtrat e tyre. Këta besojnë gënjeshtrat e tyre, këta jetojnë me një realitet që nuk ekziston,”- tha Berisha.

Sot, vetë OSBE/ODIHR në një përgjigje për Report TV, thotë se nuk ka pasur asnjë kërcënim apo frikësim ndaj misionit tonë të vëzhgimit të zgjedhjeve në asnjë moment gjatë qëndrimit të tij, as para dhe as pas publikimit të deklaratës paraprake me gjetjet dhe përfundimet. OSBE/ODIHR thekson gjithashtu se puna e tyre është e paanshme, e pavarur dhe bazohet në një metodologji të zhvilluar ndër vite dhe të përdorur në çdo vend ku vëzhgojnë.

Lajme të tjera |  Propozimi për zgjedhjet e Tiranës/ Berisha: Mbështes një kandidat të përbashkët nga opozita, por...

“Faleminderit për emailin tuaj dhe për interesimin ndaj punës së ODIHR-it. Nuk ka pasur asnjë kërcënim apo frikësim ndaj misionit tonë të vëzhgimit të zgjedhjeve në asnjë moment gjatë qëndrimit të tij, as para dhe as pas publikimit të deklaratës paraprake me gjetjet dhe përfundimet. Është e rëndësishme të kuptohet se puna jonë e vëzhgimit të zgjedhjeve është e paanshme, e pavarur dhe bazohet në një metodologji të zhvilluar ndër vite dhe të përdorur në çdo vend ku vëzhgojmë. Do të doja gjithashtu të theksoja se vëzhgimi ynë i zgjedhjeve nuk është një qëllim në vetvete dhe nuk ka për qëllim të kritikojë shtetet apo qeveritë, por të ndihmojë në përmirësimin e procesit zgjedhor në të mirë të të gjithë qytetarëve. ODIHR tani është duke përgatitur raportin përfundimtar. Ky raport do të përmbledhë vëzhgimin e zgjedhjeve dhe do të përmbajë rekomandime, të cilat do të ishim të kënaqur t’i diskutonim me autoritetet shqiptare, partitë politike dhe shoqërinë civile, për të identifikuar mënyra për të mbështetur reformën zgjedhore dhe zbatimin efektiv të rekomandimeve tona në Shqipëri,”- shkruhet në reagim.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us