Kolegji Zgjedhor ka vendosur që të shqyrtojë më 12 qershor, ora 11:00, ankimin e kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja dhe Shkëlqim Shehu.
Tre kandidatët që garuan në listat e hapura të PD për qarqet Tiranë, Durrës dhe Kukës kanë vendosur t’i shkojnë deri në fund kërkesës së tyre për rinumërim, teksa e humbën mandatin e deputetit për një grusht votash.
Në veçanti, Alimehmeti kundërshton vendimin për miratimin e tabelave të qarkut të Tiranës dhe kërkon rinumërim apo rivlerësim të votave.
Ndonëse, KAS e rrëzoi kërkesën e tij me votat e anëtarëve të PS dhe PD, sot në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit u hodh shorti për përcaktimin e trupit gjykues të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor që do të shqyrtojë kërkesën e mjekut të njohur.
Si alternativë ndaj mospranimit të kërkesave të mësipërme, kandidati Alimehmeti propozon dhe dërgimin për kontroll incidental pranë Gjykatës Kushtetuese.