13-vjeçarja u largua nga banesa pasi përndiqej në rrjetet sociale, arrestohet 21-vjeçari

Policia e Tiranës ka vendosur në pranga një 21-vjeçari pasi dyshohet se ka përndjekur në rrjetet sociale me profile false një 13-vjeçare, e cila si pasojë e presionit është larguar nga banesa.

Arrestimi i shtetasit me iniciale H.K., u bë pas kallëzimit të motrës së të miturës, “se në mënyrë të vazhdueshme është përndjekur në rrjete të ndryshme sociale, së bashku me 13-vjeçaren, nga adresa të dyshuara të falsifikuara, nga një shtetas i paidentifikuar”.

“Si rezultat i presionit të ushtruar nga këto profile të falsifikuara e mitura 13 vjeçe është larguar nga banesa.

Policia bëri të mundur gjetjen e vajzës së mitur e cila është në gjendje të mirë shëndetësore dhe aktualisht ndodhet pranë familjes së saj.

Në vijim të veprimeve hetimore u arrestua shtetasi me iniciale H.K., 21 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Falsifikimi kompjuterik””, tha Tonin Vocaj.

Lajme të tjera |  'Sazani'/ Kuzhinieri shqiptar zbulon prapaskenat e vizitës së vajzës së Trump dhe Kushner në Vlorë, rrëfen çfarë konsumuan gjatë drekës

Deklarata e Tonin Vocaj:

Përshëndetje,
Jam sot këtu së bashku me zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, zëvendësdrejtorin për Sigurinë Publike, dhe shefin e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, për të bërë prezente punën hetimore të kryer për një rast të evidentuar më datë 13 gusht, në fushën e krimeve kibernetike, gjatë të cilit është arrestuar një shtetas dhe janë proceduar penalisht dy të tjerë.

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në vijim të punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e veprave penale në fushën e krimeve kibernetike, ka administruar kallëzim nga një shtetase, banuese në qytetin e Tiranës, se në mënyrë të vazhdueshme është përndjekur në rrjete të ndryshme sociale, së bashku me motrën e saj të mitur, nga adresa të dyshuara të falsifikuara, nga një shtetas i paidentifikuar.

Si rezultat i presionit të ushtruar nga këto profile të falsifikuara e mitura 13 vjeçe është larguar nga banesa.

Gjendur në këto kushte të ngushtme, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës, pas një pune të mirëfilltë hetimore brenda një kohë rekord, është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.

Në vijim të veprimeve hetimore u arrestua shtetasi Harulla Kamani, 21 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, parashikuar nga nenet 121/a dhe 186/a të Kodit Penal.

Gjithashtu, është bërë e mundur gjetja e vajzës së mitur e cila është në gjendje të mirë shëndetësore dhe aktualisht ndodhet pranë familjes së saj.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us