Para pak javësh Gjykata e Lartë vendosi të dënojë Dritan Dajtin me burgim të përjetshëm për vrasjen e 4 efektivëve të policisë në vitin 2009 në Durrës. Në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar, duke caktuar ndaj tij 25 vite burg. Por 5 vite më pas, Gjykata e Lartë me trupën e përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sander Simoni dhe Artur Kalaja, vendosën në Dhomë Këshillimi që të prishin vendimin e Apelit për Krimet e Rënda.
Avokati mbrojtës i Dajtit, Sokol Azizaj, ka folur sot për “Breaking me Dafina Hysën” në Top News dhe ka treguar se si ky kalvar gjykimi është deformuar.
Sipas tij, ndaj Dritan Dajtit nuk është zhvilluar asnjëherë një proces i rregullt ligjor.
“Mungesa e mbrojtjes efektive ndaj subjektit Dritan Dajti e ka çuar gjithë procesin në një proces të deformuar ligjor që nuk është në përputhje me dispozitat respektive procedurale në favor të një të pandehuri që dyshohet për veprën penale të vrasjes. Së dyti konstatojmë që kësaj radhe Gjykata e Lartë në kundërshtim me parimet themelore, mbi të cilat ngrihet kodi i procedurës penale, të cilat vijnë në favor të njeriut. Sepse kjo nuk kuptohet në Shqipëri, që kodi i procedurës penale dhe kodi penal, pra e drejta materiale dhe ajo procedurale nuk janë bërë si instrumente në duart e gjykatës për të dënuar njerëzit, por janë bërë si instrumente në duart e njerëzve për të marrë lirinë, për të gëzuar lirinë. Gjykata e Lartë me një vendim absurd, në kundërshtim edhe me nenin 437 të kodit të procedurës penale, kur bëhet fjalë për çështje të cilat kanë një kalvar të tërë në kohë dhe në hapësirë të diskutimit tyre, së paku duhet ta çonte në gjykim ku të përfshihej parimi i kontradiktoritetit, por mori vendim absolutisht të njëanshëm, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së shkallës së parë të krimeve të rënda e duke hedhur poshtë vendimin e Gjykatës së Apelit, i cili ka dalë në përputhje vizavijë me ligjin. E drejta për të marrë gjykim të shkurtuar dhe për veprën penale për të cilën është akuzuar dhe dënuar i mbrojtur prej nesh Dajti, ka qenë një e drejtë procedurale ligjore që nuk mund t’ia mohonte, siç ia mohoi gjykata e shkallës së parë e krimeve të rënda, nuk mund tia mohonte, Gjykata e Apelit”
Hazizaj shton se ky është një aksioni zinxhiri gjykatave dhe në asnjë moment nuk mundet që Gjykata e Lartë një çështje kaq sensibël dhe kaq me defekte procedurale ta kalonte duke marrë një vendim tërësisht të njëanshëm në dhomë këshillimi.
Sipas tij dispozitat respektive e thonë haptazi se tre janë rastet kur Gjykata e Lartë duhet të çojnë në gjykim: Kur është sensibile, e cila është shumë e koklavitur në vështrimin material dhe procedural. Kur duhet për njësimin e praktikave dhe ato që shkojnë në kolegjet e bashkuara. Asnjë nga këto momentum procedural parashikuar nga reforma në drejtësi në vitin 2016 nuk është shfrytëzuar në favorin e qytetarit Dajti dhe për më tepër u gjet një zgjidhje e shpejtuar sepse nuk mund ta njohësh një process me 82 volume.