2 muaj nga vrasja e Liridonës, si e thuri planin Naim Murseli, Kokalla: Kishte një vit që më lutej

2 muaj nga vrasja tinzare e Liridona Ademajt, dëshmitë e 4 personave të arrestuar flasin për një krim të mirëmenduar, me bashkëshortin Naim Murseli, që qëndronte në krye të planeve për eleminimin e saj fizik. Në dëshminë e tij të re, Murseli ka hedhur dyshime në lidhje me moralin e viktimës, duke thënë se Liridona e kishte tradhtuar gjatë kohës kur ata ishin në Suedi.

Teksa ka folur para hetuesve, Naim Murseli pretendon se ai nuk ka kërkuar vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, dhe se Granit Plavën e ka cilësuar një person të rrezikshëm, dhe për këtë shkak kishte frikë që të tregonte për identitetin e tij. Edhe pse një person me ndikim dhe influencë, Murseli pretenonte se frikësohej nga Plava, i cili nga ana e tij ka pranuar se ka kryer vrasjen pas premtimit se do të merrte 30 mijë euro. Sa i takon tradhtisë, që sipas Murselit ka rënduar marrëdhënien e tyre në çift, fillimisht kanë dalë disa sms të tij me një person të tretë, dhe mandej pretendon se Liridona e ka tradhtuar me një person të huaj.

“Në ditën kritike unë isha ne Gjakovë për pune personale dhe rastësisht jam takuar me Granitin ku Kushtrimi i ka treguar se ku do te takohemi. Ne jemi takuar në Kramovik në rrugë dhe ai ishte kthyer tek vendi i punës dhe ai ka parkuar automjetin e tij ne atë lokacion tek pompa Eko ku punonte dhe ka vazhduar me mua me veturën time Land Rover me targat 07-669-CM ngjyrë e zezë, ku së bashku jemi nisur në drejtim të restorant Liqeni i Dukagjinit, por gjatë rrugës goma e veturës mu dëmtua dhe vazhduam për ta gjetur një gomister për ta rregulluar gomën, ku në afërsi të Dujakës hasëm në një autolarje dhe mekanik i fshatit i cili na ndihmoi për ta rregulluar gomën.

Personi i cili na ndihmoi e pyeti Granit Plava nëse është i interesuar për armë dhe ai i thotë ‘po vetëm dua ta shoh fillimisht’. Dhe i pëlqeu, por nuk kishte para me vete dhe mi kërkoj mua dhe unë ia dhashë 250 euro aq sa edhe ka kushtuar arma, nga aty pasi u regullua goma më telefonon bashkëshortja dhe më tregon se ka mbërrit në Prishtinë pa dijeninë time. Unë nisem në drejtim të Prishtinës së bashku me Granitin por gjatë rrugës Graniti më kërkoi ta dërgoja në fshatin Kralan ku kishte për të marrë një veturë. Dhe, ndaras kemi vazhduar për në Prishtinë, ku ai me ka ndjekur mbrapa deri në afërsi të shtëpisë time, ku jemi barazuar me vetura dhe më ka thënë se unë tash e di çka bëj.

Në afërsi të shtëpisë, Graniti doli i maskuar në rrugë me armë të drejtuar drejt nesh. Edhe pse isha ne dijeni për prezencën e tij unë asnjëherë nuk kam besuar në të vërtetë se Graniti do të marrë veprime për vrasje. I shokuar kam ndaluar, i kam çu duart lart dhe i kam thënë bashkëshortes jepja krejt çfarë të kërkon dhe në një moment unë kam hapur derën time, pastaj derën e fëmijëve duke i thënë edhe bashkëshortes të largohet nga vetura. Në momentin që jemi larguar disa metra, kam dëgjuar një krismë por pa e parë se çfarë ndodhi.

Kam qenë në gjendje të rëndë emocionale, i shokuar dhe i frikësuar të tregoj të vërtetën duke e ditur të kaluarën kriminale të Granit Plavës, nuk kam guxuar ta zbuloj identitetin e tij. Nuk jam takuar më pas me Granit Plavën, nuk i kam dhënë asnjë lloj shpërblimi.

Një problem familjar ku kanë dalë në shesh disa SMS-a me një të afërt. Këta SMS-a ia kanë dërguar bashkëshortes sime dhe kjo e ka rënduar tej mase lidhjen tonë martesore. Pas kësaj ngjarje, presioni dhe kontrolla ndaj meje është shtuar ku unë kam kërkuar ndarjen mirëpo kategorikisht bashkëshortja nuk ka pranuar dhe në një ndejë në Malmo të Suedisë, bashkëshortja më ishte hakmarrë duke më tradhtuar me një person të huaj aty. Këtë ngjarje unë e kam parë me sytë e mi mirëpo nuk ia kam shprehur në asnjë moment. Kjo ngjarje sigurisht që më ka rënduar dhe ndikuar në raportin tonë. Unë si bashkëshort të gjitha kushtet ia kam plotësuar dhe kam dashur që ajo të jetë e lumtur”, ka thënë Murseli.

Lajme të tjera |  'Zgjedhjet u vodhën'/ Berisha refuzon të njohë rezultatet, PARALAJMËRON: Protestë më 16 maj!

Ndëkohë që autori i vrasjes, që është shtetasi Granit Plava, ka rrëzuar pretendimet e Murselit se ai nuk ka qenë i pranishëm në makinë ditën e vrasjes. Ai thotë se Murseli i ka premtuar jo vetëm 30 mijë euro, si shpërblim për vrasjen, por i ka dhënë garanci se nuk do ti ndodhte asgjë, pasi përmes influencave që ai kishte, do ta nxirrte nga burgu. Fillimisht Murseli kishte kërkuar që vrasja e Liridonës të ndodhte në momentin që ai do të ishte në Shqipëri, por më pas planet kanë ndryshuar dhe ai ka kërkuar që Plava ta vrasë bashkëshorten menjëherë, pa u menduar dy herë as për fëmijët që ishin dëshmitarë të skenës makabre.

“Gjatë bisedës në prezencë të të treve, Naimi më ka thënë se do t’i marrësh 30,000.00 euro pasi ta vrasim këtë grua. Në këtë ditë është përmend edhe kallashi për ta ekzekutuar këtë grua, por nuk kam pranuar. Pak para se të largohem m’i ka dhënë dhe 400 euro, dhe Kushtrimit ia ka dhënë një shumë tjetër dhe jemi marrë vesh që të kryhet kjo punë. Po ashtu, Naimi na ka thënë se ‘unë kam me shku në Shqipni dhe të kryhet kjo punë sa unë jam atje.

Në ditën e vrasjes më ka telefonuar në Ëhatsapp dhe më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke më thënë se ti e di se ‘kam pare unë, nëse ndodh diçka unë do të të nxjerr’. Më ka marrë me makinën e tij Range Rover rreth orës 12:00 ku kemi bërë gjiro tek Liqeni i Radoniçit. Aty është prishë goma e makinës dhe kemi shkuar në fshatin Novosellë e Epërme ku aty pronari i një vullkanizeri pasi e kemi rregulluar gomën, Naimi ka thënë se e mora këtë armë nga pronari i këtij vullkanizeri”, ka thënë Plava.

Lajme të tjera |  Numërohen mbi 91% e votave, PS drejt mandatit të katërt qeverisës me 82 deputetë, PD merr 34%. Si renditen partitë e tjera

Planet e hershme për vrasjen e Liridonës i pranon dhe i arrestuari tjetër, Kushtrim Kokalla, i afërm me Naim Murselin. Ai thotë se Murseli ia kishte kërkuar atij fillimisht vrasjen e Liridonës, por ai e kishte mohuar kategorikisht. Sipas Kokallës, i vetmi faj apo rol i tij në këtë histori, është fakti se ka qenë personi ndërlidhës mes Murselit dhe Plavës.

“Vlen të ceket se Naimi prej afër një viti mua më ka lutur që të kryej këtë vrasje. Atëherë unë i kam thënë se nuk vjen në shprehje që të bëj këtë punë dhe mos më thuaj më asnjëherë”, thuhet në dëshminë e Kokallës.

Ai ka dhënë detaje edhe për mënyrën e komunikimit mes Murselit e Plavës si dhe detaje tjera për ditën e vrasjes së Liridona Ademajt dhe ditën e varrosjes së saj. Nga ana tjetër, dëshmia e personit të katërt të arrestuar, Tom Dodaj, ka hedhur dritë mbi një tjetër detaj, atë të sigurimit të armës, e cila është provuar dhe nga vetë Naim Murseli, i cili ka qëlluar disa herë në oborrin e tij.

“Po e kam shitur armën tek Naim Murseli dhe Granit Plava. Arma vetë ka kushtuar 250 euro, ndërsa plumbat 30 euro”, ka thënë Dodaj në dëshminë e tij.

Sikur të mos mjaftonte i gjithë plani për vrasjen e bashkëshortes, nënës së dy fëmijëve të mitur, Murseli pas vrasjes së saj ka festuar në një club nate, i cliruar nga barra që mbante prej kohësh, se Granit Plava ‘ia kishte kryer atë punë’. Ajo që nuk dinte Murseli janë orët dhe ditët që pasuan, që çuan në zbulimin e shpejtë të tij, si porositësi i vrasjes së Liridonës, për të cilën do të gjykohet nga autoritetet në Kosovës.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us