UKRAINË– Nga Adam Tooze “Financial Times”
Viti që po mbyllet ishte i karakterizuar nga konflikte dhe dhunë në nivele shqetësuese. Lufta në Ukrainë, rreziku i një përplasjeje midis 2 superfuqive globale në Detin e Kinës Jugore dhe shpërthimi i dhunës në Palestinë-Izrael formojnë një kombinim të tmerrshëm.
Në secilën nga këto arena, paqja që pasoi përfundimin e Luftës së Ftohtë është vënë tani në pikëpyetje. Pas rritje së tensionit ndërkombëtar, për analistët perëndimorë është një tundim joshës të shohin aktivizimin e “boshtit të së keqes” në veprim.
Sulmi i Vladimir Putinit ndaj Ukrainës, u parapri nga sulmet e egra ushtarake të forcave ruse në Siri dhe Libi. Rusia është e lidhur ngushtë me Iranin, vend që është sponsori kryesor i Hamasit dhe i Hezbollahut. Kina është blerësja kryesore e eksporteve të naftës iraniane të sanksionuar nga Perëndimi.
Po ashtu ajo është partnerja që i jep mundësi Rusisë që të shmangë sanksionet perëndimore të vendosura ndaj saj që në shkurt të vitit 2022. Por përtej makinacioneve të këtij koalicioni anti-perëndimor, ne bëjmë mirë të pyesim se përse kufijtë e ish-Bashkimit Sovjetik, Lindjes së Mesme dhe Azisë Lindore janë kaq shumë të cenueshëm ndaj destabilizimit.
E përbashkëta e tyre është se pas Luftës së Ftohtë, ato ishin vende të përpjekjeve për të gjetur paqen jo tek një “rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla”, por tek diçka më thelbësore: ekonomia. Nga vitet 1990 e tutje “Wandel durch handel” (transformimi përmes tregtisë) ishte motoja kryesore e politikë-bërësve në mbarë Perëndimin.
Nën konsensusin e Uashingtonit dhe dominimin ushtarak të Amerikës, ekzistonte një besim i sigurt se gjeopolitika ishte ose e parëndësishme ose do të zbutej nga zhvillimi ekonomik. Në kulmin e tij në vitin 2021, stoku i investimeve të huaja direkte në Rusi arriti në 500 miliardë dollarë.
Administratat e Clinton, Bush dhe Obama-s u përpoqën ta bënin Pekinin një “partner interesi të përgjegjshëm”. Ndërkohë, ish-kryeministri izraelit Shimon Peres shpalli një vizion të “Lindjes së Mesme të Re”, në të cilën mbylleshin ndarjet e mëdha, siç kishte ndodhur me Evropën, për shkak të rritjes ekonomike dhe ndërvarësisë midis shteteve.
Por ky rezultoi të ishte një iluzion i pastër. “Chimerica” lidhi në një njësi të vetme pjesë të rëndësishme të ekonomive amerikane dhe kineze. Në Rusi, perëndimorizimi e transformoi jetën e miliona njerëzve. Në Lindjen e Mesme, një elitë e re e orientuar nga perëndimi e ka reformuar politikën rajonale. Tel Avivi filloi t’i ngjante një kryqëzimi midis Brooklyn dhe Silicon Valley. Rritja ekonomike e Izraelit ishte shumë tërheqëse. Marrëveshjet e Abrahamit, janë në thelb arritja e një paqeje ekonomike midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Por vizioni i tregtisë ishte gjithmonë i ndjeshëm ndaj përçarjes nga dhuna politike. Në Lindjen e Mesme, lufta e Izraelit me Intifadën e Dytë mbolli farat e radikalizimit të Hamasit, dhe u përfshi në luftën kundër terrorizimit të Uashingtonit me pasoja kundër terrorit.
Përmes fushatës së saj ndëshkuese kundër Gjeorgjisë në gushtin e vitit 2008, Rusia njoftoi vendosmërinë e saj për t’i rezistuar me dhunë çdo zgjerimi të mëtejshëm të ndikimit të Perëndimit. Nën udhëheqjen e Xi Jinping, Kina ka një vëmendje të shtuar ndaj Ushtrisë Çlirimtare Popullore si një qendër e fuqisë së brendshme dhe të jashtme.
Dhe nuk janë vetëm forcat ushtarake, ato që e sfidojnë formulën e paqes përmes marrëdhënieve ekonomike. Vetë ekonomia nuk është neutrale. Rritja ekonomike ka furnizuar me burime pretendentët në shumë rajone ku ka konflikte.
Biznesi i eksportit të energjisë ruse vazhdon të ushqejë makinën e saj të luftës, edhe pse perëndimi konfiskon qindra miliarda rezerva. Kina është aq shumë e ndërlidhur me botën saqë është e rrezikshme ta sanksionosh, në një kohë që rritja e saj ekonomike nënkupton se vështirë se mund të shmangë rritjen në një superfuqi ushtarake.
Në Izrael, një element thelbësor i strategjisë së madhe të Benjamin Netanyahut ka qenë ta bëjë vendin të paprekshëm ndaj presionit të huaj, duke nxitur eksportet dhe duke krijuar një rezervë të madhe valutore. Për këtë arsye s’do të ketë më një rikthim në krizat e mëdha të viteve 1970-1980. Pra rritja ekonomike nuk prodhon paqe, por mjete për rivalitet. Ndërkohë, dobësia ekonomike e një vendi gjeneron cënueshmëri. Sikleti i Perëndimit gjatë krizës financiare të vitit 2008
e trimëroi Kinën.
Ishte gjendja katastrofike ekonomike e Ukrainës, ajo që nxiti afrimin e madh midis Kievit dhe Brukselit, dhe përplasjes me Moskës në vitin 2013, gjë që çoi në krizën e Maidanit dhe inkursionin e Rusisë ne Krime. Në Lindjen e Mesme, brishtësia ekonomike dhe moszhvillimi i Palestinës e ka bërë të duket absurde idenë e një zgjidhjeje me dy shtete, dhe i ka hapur rrugën reduktimin të Gazës, një qendër e lashtë e tregtisë rajonale, në një zonë vazhdimisht në luftë.
Gabimi nuk ishte në besimin se ndërlidhja ekonomike prodhon ndryshime sociale reale, ekonomike dhe politike. Sepse ajo i prodhon ndryshime të tilla. Gabimi ka të bëjë me pritshmëritë se ky transformim ishte një proces i njëanshëm që do të siguronte automatikisht rendin, dhe se ky rend do t’i pëlqente Perëndimit.
Ky ishte një mësim i thjeshtësuar, që supozohej të mësonte nga lufta e ftohtë e viteve 1980, dhe të cilin përvoja jonë e vitit 2023 duhet ta kishte hedhur poshtë njëherë e mirë.