Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit në media të kontratës së lotimit që ka lidhur me një kompani amerikane dhe që sipas dokumentave do t’i kushtojë 250 mijë dollarë në muaj, apo një total prej 6 milionësh për dy vjet, aq sa edhe e ka afatin, nëse do të vijojë deri në fund.
Sipas raportimit në media, kontrata është firmosur nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe janë parapaguar 750 mijë dollarë.
Por Partia Demokratike, nuk e mohon ekzistencën e kësaj kontrate, megjithatë thotë se ajo financohet 100% nga një fondacion i quajtur “Make Albania Great Again” i përbërë nga emigrantë dhe patriotë shqiptaro-amerikanë.
Sipas PD-së, synimi i kësaj kontrate lotimi “është bashkëpunimi i PD me aleatin kryesor të Shqipërisë për të rivendosur demokracinë funksionale dhe shtetin e të drejtës në Shqipëri”.
Deklarata e PD:
Në lidhje mbi një informacion të shpërndarë në media për lobimin e PD pranë Qeverisë dhe Kongresit të SHBA dëshirojmë të sqarojmë sa vijon:
Komuniteti shqiptaro amerikan përmes fondacionit “Make Albania Great Again” ka kontraktuar kompanine “Continental” për të ndihmuar në konsolidimin e mardhenieve miqësore të Partisë Demokratike si forca më e madhe opozitare me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA. Synimi i bashkëatdhetarëve tanë në SHBA është bashkëpunimi i PD me aleatin kryesor të Shqipërisë për të rivendosur demokracinë funksionale dhe shtetin e të drejtës në Shqipëri.
Kompania “Continental” drejtohet nga Ambasadori Carlos Trujillo i cili njihet gjithashtu dhe si avokat i Presidentit Trump dhe si antikomunist i palëkundur në qëndrimet e tij!
Kontributi financiar për realizimin e këtij qëllimi është marrë përsipër 100% nga patriotë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej dekadash në SHBA si dhe demokratë të tjerë të larguar nga Shqipëria këto 10 vite për shkak të regjimit të Edi Ramës!
Partia Demokratike duke falenderuar demokratët antikomunistë të komunitetit shqiptaro – amerikan për bujarinë dhe e patriotizmin e tyre sqaron opinionin publik se ndonëse ka dhënë dakordësinë për marrjen e këtij shërbimi në përputhje të plotë me ligjet e të dy vendeve, nuk ka asnjë barrë financiare apo detyrim kontraktual qe lind nga kjo marrëveshje.