Vjedhja në uzinën e armatimit në Poliçan po hetohet nga Prokuroria e Beratit. Por nuk bëhet fjalë për grabitje të skrapit ashtu siç u lajmërua më herët, por për vjedhjen e lëndës së parë që shërben për prodhimin e fishekëve dhe të aksesorëve të tjerë të prodhimit të armëve të zjarrit. Për rastin nën hetim janë ish-drejtori i Kombinatit, Erjon Zylyftari; përgjegjësi material Gazmend Mahmutaj, Fatos Hasa, shefja e Financës dhe Këshilli drejtues i uzinës. Hetimet janë përqëndruar në grabitjen e tonelatave me lingota Bakri, Bronxi F1 dhe Tunxhi F1, të cilat shërbejnë si lënde e parë për prodhimin e fishekëve, gëzhojave dhe aksesorëve të tjerë të armatimit. Por jo vetëm kaq, pasi raportohet se mundojnë edhe pistoleta të prodhuara në këtë Kombinat, por nuk dihet sesa është sasia e saktë e armëve të zjarrit që mungojnë.
Për këtë çështje, nga Prokuroria e Beratit është thirrur edhe ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njëherësh dhe koordinatori politik i Partisë Socialiste. Gazetari Elton Qyno shkruan për “OraNews” se Çuçi është marrë në pyetje pasi Prokuroria e Beratit ka një bisedë të përgjuar mes tij dhe Zylyftarit ku flitet për grabitjen. Megjithatë nuk bën me dije detaje të tjera lidhur me përmbajtjen e bisedës mes tyre.
Po ashtu është siguruar edhe një raport konfindencial auditi, i cili është bërë për këtë çështje nga auditues të Ministrisë së Mbrojtjes. E gjitha ka nisur pasi punonjësit nuk merrnin pagat për punën që bënin dhe kishin nisur që të shqetësoheshin për degradimin e uzinës ku edhe po punonin.
Punonjësit kanë raportuar në ministrinë e Mbrojtjes se: …uzina filloi të degradojë dhe punonjësit filluan të humbin shpresat sepse Kryetari i Bashkisë Poliçanit Adriatik Zotkaj, filloi të përdorte influencën e tij, duke ndikuar në emërimin e titullarve të Uzinës, ku këta të fundit kanë qënë zyrtarë të Bashkisë Poliçan. Nën komandën e tij, ata kontribuan në humbjen dhe vjedhjen e uzinës….
Fillimisht, Ministria e Mbrojtjes kërkoi që të bëhej një vetë-auditim. Kështu drejtori Arshin Tushe kërkoi që të nisej nga puna, por auditimi nuk u bë kurrë pasi përgjegjësit e magazinimit të Kombinatit Mekanik Poliçan, Gazmend Mahmutaj dhe Fatos Hasa, nuk paraqiteshin në detyrë. Të gjendur përballë kësaj problematike, Ministria e Mbrojtjes ka dërguar një grup nga Tirana. Fiqiri Xhaferri, Luan Kalluçi, H.Frashëri dhe D.Turhani do të bënin auditim për periudhën 1 korrik 2017 deri 30 dhjetor 2020.
Auditimi përfundoi në 26 shkurt 2021!
Grupi i punës konstatori një sërë shkeljesh të rënda si: humbja e sendeve, vjedhja, shpenzime të pa justifikuara, punësime të pa nevojshme (në periudha zgjedhore), prokurime publike të vogla të pa autorizuara. Të gjitha këto shkelje i kanë shkaktuar uzinës një humbje prej 50,398,899.69 lekë.
Sipas raport auditit të Ministrisë së Mbrojtjes ka rezultuar se diferenca mangut nga invetarizimi i fundit të lëndëve të para me ngjyrë është në këtë gjendje: …bakër të llojeve të ndryshme, fletë bakri, shirit e tel bakri mangët 12597.6 kg, Bronx F1 të ndryshme, tel bronxi, lingota bronxi mangët 4393.3 kg dhe Tunxh F1….
Sasia totale e lingotave Bakër, Bronx, dhe Tunxh, të vjedhura dhe më pas shituara në tregun e zi, shkon në 54 ton dhe vlera financiare në dëm ekonomik është përllogaritur paraprakisht në 62 milion lekë të vjetra.
Tashmë kjo çështje është nën hetim nga prokuroria e Beratit, por nuk përjashtohet mundësia që kjo dosje t’i kalojë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar