622 mijë qytetarë në prag të varfërisë, Ministria kërkon ndryshim të skemës

Ndërsa kostoja e jetesës në Shqipëri vazhdon të njohë rritje, ndihma ekonomike nuk është e mjaftueshme. Diçka e tillë është pranuar edhe nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Kjo e fundit propozon ndryshim të skemës për ndihmën ekonomike. Në Strategjinë Kombëtare, që përfshin vitet 2024-2030, thuhet se pavarësisht se ndihma ekonomike është rritur nga viti në vit, sërish mbetet e pamjaftueshme. Shifrat janë alarmante, pasi më tepër se 622 mijë qytetarë shqiptarë jetonin në prag të rrezikut për të qenë i varfër.

“Në Shqipëri në vitin 2021, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër ishte 22%, rreziku për të qenë I varfër ose i përjashtuar social ishte 43.9%, rreth 622,700 individë jetonin nën kufirin e rrezikut për të qënë të varfër. Është provuar që përfitimet sociale si pensionet e pleqërisë dhe ato familjare, të përfshira në të ardhurat familjare të disponueshme, ndikojnë në uljen e rrezikut për të qenë i varfër. Kështu, nëse në nivelin e të ardhurave nuk do të përfshiheshin të gjitha llojet e përfitimeve sociale, rreziku për të qenë i varfër në vitin 2021 është vlerësuar 39,0 % kundrejt 25,2 % në rastin kur përfshihen përfitimet sociale nga pensionet e pleqërisë dhe ato familjare. Kufiri financiar i rrezikut për të qenë i varfër në vitin 2021 është llogaritur 191,791 ALL për një familje me një person, ndërsa ai rritet me shtimin e numrit të anëtarëve si dhe në rastin kur personi”, thuhet në Strategjinë Kombëtare për Mbrojtjen Sociale 2024-2030.

Sipas Strategjisë, duhet të ndryshojë edhe formula e pikëzimit, pasi është arritur në përfundimin që nuk identifikon të gjithë nevojtarët.

“Vlerësimet tregojnë që formula e pikëzimit nuk i përgjigjet sa duhet kontekstit ekonomik dhe social aktual, duke u paraqitur e vjetërsuar, për sa i përket kritereve të kualifikueshmërisë të parashikuara në të. Moszbulimi i formës së qartë të formulës së pikëzimit krijon probleme për transparencën si dhe ndikon që vlerësimi i efektshmërisë së formulës së pikëzimit të jetë i cunguar në aspektin e shënjestrimit. Koeficientet e formulës së pikëzimit vlerësohen të jenë të vjetërsuar, për shkak të ndryshimit të kushteve materiale dhe sociale krahasuar me kohën kur u aprovua ky instrument”, thuhet në Strategji.

SKEMA AKTUALE:

1800 lekë për familjet me një të rritur

-3,060 lek për familjet me dy të rritur

– 4,320 lek për familjet me 3 të rritur

– 5,580 lek për familjet me katër të rritur

– 2,700 lek për familjet me një të rritur dhe një fëmijë

– 3,960 lek për familjet me dy të rritur dhe një fëmijë

– 4,860 lek për familjet me dy të rritur dhe dy fëmijë

– 5,760 lek për familjet me dy të rritur dhe tre fëmijë

– 9,900 lekë në muaj për gratë e trafikuara dhe viktimat e dhunës në familje

– Shuma maksimale e ndihmës ekonomike është vendosur në masën 150 për qind të pensionit social.

SHTESA PËR FAMILJET ME NDIHMË EKONOMIKE:

– kompensim për konsumin e energjisë elektrike

– subvencionimi 300 lekë për çdo fëmijë deri në moshën 15 vjeç që ndjek shkollën

– kompensimi 110 lekë për çdo vaksinim të kryer

– 100 lekë shtesë për fëmijë në muaj për familjet me trinjakë̈, katërnjakë dhe pesënjakë.

Gjithashtu, Shqipëria është ndër vendet me përqindjen më të lartë të personave me aftësi të kufizuar në rrezik për të qenë të varfër apo për të provuar përjashtim social. Në vendin tonë, njerëzit me aftësi të kufizuar jetojnë në familje, ku varfëria është prezente, shumë më tepër se në familjet e vendeve të BE-së.

“Rreth 55% e popullsisë mbi 16 vjeç me aftësi të kufizuar në Shqipëri, jetojnë në familje, të cilat provojnë të paktën një ndër tre rreziqet e varfërisë dhe të përjashtimit social (rrezik për të qenë i varfër, individë thellësisht të privuar materialisht si dhe individë që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim). Kjo shifër është e lartë në të gjithë vendet e Ballkanit dhe është shumë më e lartë se në vendet e Bashkimit Europian (BE) (29.6%). Skemat e mbështetjes financiare për personat me aftësi të kufizuara, përbëjnë një nga shtyllat kryesore të sistemit të mbrojtjes sociale në Shqipëri. Shqipëria, në vitin 2022, shpenzoi rreth 10% të PBB-së për programet e mbrojtjes sociale, dhe programi i pagesave të aftësisë së kufizuar, ishte programi më i madh i zbatuar në këtë drejtim (63% totalit të shpenzimeve për ndihmën sociale në vitin 2022)”, thuhet në raport.

Programi i mbështetjes së aftësisë së kufizuar, gjatë viteve të fundit, ka kaluar në një proces reformimi, por sidoqoftë, disa kategori të personave me aftësi të kufizuara nuk arritën t’i nënshtrohen procedurës së vlerësimit biopsikosocial.

“Pavarësisht tendencës për të standardizuar dhe për të vendosur barazi në proçesin e vlerësimit mes grupeve të ndryshme të aftësisë së kufizuar, disa kategori të personave me aftësi të kufizuara nuk arritën t’i nënshtrohen procedurës së vlerësimit biopsikosocial, si: (i) përfituesit aktualë, por edhe aplikuesit e rinj që pretendojnë të përfitojnë sipas legjislacionit në fuqi për statusin e të verbërve; (ii) përfituesit aktualë, por edhe aplikuesit e rinj që pretendojnë të përfitojnë sipas legjislacionit në fuqi për statusin e invalidit para-tetraplegjik dhe (iii) invalidët e punës që kërkojnë të përfitojnë sipas legjislacionit në fuqi për statusin e invalidëve të punës dhe që përfitojnë / aplikojnë për vlerësim në sistemin e Sigurimeve Shoqërore. Aftësia e kufizuar për tre grupet e sipërcituara përcaktohet përmes kritereve, procedurave dhe strukturave të veçanta, të administruara nga Shërbimi Social Shtetëror dhe nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore”, thuhet në Strategjinë Kombëtare.

Shqipëria ofron pak për grupet në nevojë

Shqipëria rezulton se ka normën më të ulët të shpenzimeve për mbrojtjen sociale në rajon dhe të dytën në Europë, pas Turqisë. Sipas Eurostat, Shqipëria dha për grupet në nevojë 12.8 përqind të PPB-së të vendit më 2021. Në këtë analizë përcaktohet se cilat grupe marrin më tepër ndihmë ekonomike.

Sikundër në vendet e tjera të rajonit, pjesa më e madhe e këtyre fondeve shkon për pensionet, me 53.6 përqind të totalit. Shpenzimet më pas më tepër shkojnë për kujdesin shëndetësor, 24.2 përqind. Shumat më të vogla shkojnë për strehimin dhe eliminimin e përjashtimit social me 0.7 përqind të shpenzimeve.

Shqipëria është në vendin e parë, si vendi që jep paratë për grupet në nevojë në cash. Statistikat e BE-së thonë se 70 përqind e shpenzimeve u dhanë me para në duar.

Një pjesë kanë marrë ‘përfitime në natyrë’, por nuk kanë fituar drejtpërdrejtë. Kjo mënyrë ndihme nuk është e zakonshme për vendet e BE-së, por përdoret si formë alternative në Shqipëri, Greqi, Itali dhe vendet e Mesdheut./Zëri/

Dokumenti

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us