BULLGARI– Pas stuhive të breshërit që shkatërruan të korrat e shumë fermerëve në Bullgari, tashmë vendi është mbushur me perime shqiptare dhe greke. Shoqata Bullgare e Prodhuesve të Serave ka ngritur çështjen në mediat vendase duke raportuar se produktet e huaja “po përmbytin” tregun vendas.
Ata pretendojnë se mallrat e huaja po përzihen me mallra bullgare dhe ofrohen në tezga si prodhim vendas.
“Jemi gati të protestojmë nëse kontrolli nuk shtrëngohet,”-janë shprehur fermerët bullgarë për “Nova TV“.
Sipas kryetarit të Shoqatës Bullgare të Prodhuesve të Serave, Marin Genurov, trendi i importimit të produkteve të lira vërehet te domatet dhe kastravecat e serave. Ai theksoi se industria ka informacion në lidhje me rieksportin e perimeve nga Shqipëria përmes Greqisë. Ato mbërrijnë në Bullgari me çmime më të ulëta.
“Domatet mbërrijnë në vendin tonë me një çmim deri në 1.50 leva (0.70 cent/euro), dhe kastravecat – me një çmim prej 0.80 deri në 1.20 leva. Për krahasim, i njëjti prodhim i prodhuar në vendin tonë është të paktën 1 leva më shumë,”- shpjegoi ai.
Ivan Kaburov, i cili është nënkryetar i Shoqatës Bullgare të Prodhuesve të Serave, tha se prodhimi i importuar shpesh është me cilësi më të ulët dhe ka një pamje më të keqe sesa produkti vendas. Po ashtu theksoi se mallrat e sjella nga Shqipëria dhe Greqia kanë avantazhin e vetëm se kushtojnë më pak.
“Ne shesim me një çmim prej rreth 1.40 leva (0,72 cent) dhe tashmë jemi me humbje. I bëj thirrje Organizatës Bullgare të Ushqimit dhe Bujqësisë të marrë përsipër rolin e saj dhe të kontrollojë importet, tregjet dhe panairet”./ZËRI