8 Dhjetori, Dita e Rinisë e gjeti edhe këtë vit të ndarë Partinë Demokratike ndërkohë socialistët në Kongresin e tij të jashtëzakonshëm, i cili nisi prej paraditës së kësaj të premteje dhe vijon ende, ku i pranishëm është dhe Kryeministri Edi Rama. Një 8 dhjetor ndryshe nga të shkuarit në aspektin e ngjarjeve, por ama me figura të njëjta.
Partia Demokratike (E drejtuar nga Sali Berisha)
Me sa duket Kongresi i 8 dhjetorit i Partisë Socialiste e “zbehu” këtë vit festën e demokratëve, duke ‘rrëmbyer’ vëmendjen mediatike më të madhe. Dhe pse në kampin opozitar duket se kishte rënë qetësia dhe nuk ishin përgatitur aktivitete.
Sali Berisha preferoi të qëndronte në seli dhe të mjaftohej me dy organizime modeste, kryesisht me të ftuar dhjetoristë të 1990-tes. Berisha mbajti një fjalë përshëndetëse kur nuk i kurseu akuzat për Qeverinë ndërkohë që në krahasim me vitet e shkuara prezenca nuk ishte ajo që mund të pritej.
Partia Demokratike (E drejtuar nga Lulzim Basha)
Lulzim Basha nuk mori pjesë këtë të premte në asnjë aktivitet të organizuar nga partia e tij. “Festën” ua besoi të tijëve ndërkohë që atmosfera ishte e vakët. Një organizim në Hotel Tirana ishte gjithçka e përgatitur ndërkohë që kishte mungesa të shumta sa u përket themeluesve dhe drejtuesve ndër vite.
Grupi i Gazment Bardhit
Grupi i deputetëve që mbështet Gazment Bardhin vendosi që këtë 8 dhjetor të mos marri pjesë në organizimet e zhvilluara nga Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha. Asnjë nga deputetët përfshirë dhe Gazment Bardhin nuk u panë në selinë e PD. Ndërkohë Bardhi nuk harroi të komentonte Kongresin e PS. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka publikuar foton e socialistëve të hetuar nga SPAK për shpërdorim detyre apo korrupsion.
Ky 8 dhjetor, ashtu si dhe i shkuari vërtetoi se as përvjetoret festive nuk i bashkojnë më demokratët, të cilët sot jo vetëm në qendër por dhe në bazë u panë të distancuar.
Partia Socialiste mbledh Kongresin
Kongresi i Partisë Socialiste duket se e “veniti’ festën e demokratëve dhe pse dhe ai nuk prodhoi asgjë të re. I mbledhur në Pallatin e Kongresve që prej paraditës, Kongresi bëri bashkë socialistë të vjetër dhe të rinj, të cilët për më shumë se një orë dëgjuan fjalimin e Kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit kishte zgjedhur të ulej krah Lindita Nikollës dhe Gramoz Ruçit.
Fjalën e tij Edi Rama e përqëndroi në arritjet që sipas tij, socialistët kanë bërë gjatë 10 viteve qeverisje ndërkohë që u ndal tek Reforma në Drejtësi, Siguria dhe Ekonomia. Më shumë se një Kongres i zakonshëm ky i sotmi ishte një “ndezje motorësh” për fushatën elektorale të 2025-es, që Rama garantoi se PS do të fitojë mandatin e 4-tërt qeverisës.
8 dhjetori i vitit 1990-të nisi me ëndrrën e të rinjve për një “Shqipëri si gjithë Europa”, por a është kjo e sotmja Shqipëria që ata ëndërronin të ndërtonin, kjo kërkon shumë diskutim./ZËRI