Tinka Kurti, një prej aktoreve më të njohura shqiptare, me 60 vite karrierë, po i kalon vitet e saj në një shtëpi të moshuarish në Tiranë. Në spektaklin e transmetuar një natë më parë të “BiG Brother”, Tinka Kurti u shfaq në ekran duke dhënë një mesazh për aktorin Laert Vasili, i cili gjithashtu u surprizua dhe nga një prej miqve të tij më të mirë, Helidon Fino.
Në fjalët e saj, njeriu, të cilës i është dedikuar edhe një dokumentar, rrëfeu se tashmë jetonte në një azil.
“Laerti të ketë rrugën e mbarë dhe Tinkën të mos e harrojë kurrë. Erdha në këtë shtëpi që e shihni ju, për mua është tragjedi. Këtu ka njerëz të mrekullueshëm. Ne jemi të numëruar në jetë tani, ja na ikur Margarita. Për mua ka qenë tronditje e madhe, ne jemi artistë që i kemi shërbyer popullit, do i shërbejmë këtij kombi deri sa të kem i frymën e fundit”, tha ajo.
Për herë të fundit, Tinka Kurti u shfaq në publik për homazhet që u mbajtën më 4 prill për aktoren e madhe Margarita Xhepa, e cila ndërroi jetë më 3 prill.
Ajo ka krijuar familje, por në vitin 2018 humbi djalin e saj, Zef Kurti nga një sulm në zemër. Nuk dihet se si kanë rrjedhur ngjarjes që një artiste si Tinka Kurti, e cila është nderuar me medalje “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës, ka përfunduar në një shtëpi të moshuarish.
Tinka Kurti ka lindur më 17 dhjetor 1932 dhe është një nga aktoret më të njohura shqiptare. Puna e saj, që përfshin 60 vjet, përbëhet nga më shumë se 50 filma artistikë dhe 150 shfaqje teatrore. Ajo është vlerësuar me medaljen Artistja e Popullit të Shqipërisë.
U lind në Sarajevë, e bija e Dedë Kolë Thanit dhe gruas së tij hungareze, Elizabetës që aktorja në fëmijëri e quante Saveta. Familja e saj u shpërngul në Shkodër kur ajo ishte në moshë të vogël. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shkodër, ku edhe iu bashkua teatrit në moshë të re.
U ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe e shumë e kulturuar.
Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Kurti ka interpretuar edhe në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shiptar të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958.
Ndër vepra të tjera janë Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), nëna tek “Çifti i lumtur” (1975), Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele te kuqe” (1978), Gjyshja tek “Zemra e nënës”.
Dy kinema, një në Tiranë dhe një në Durrës mbajnë emrin e saj. Gjithashtu, emrin e Tinka Kurtit mban edhe një shkollë në fshatin Lekbibaj në Shqipëri.
Në vitin 2003, regjisori shqiptar Esat Teliti realizoi një dokumentar të titulluar thjesht “Tinka” kushtuar jetës së saj.