Skënderbeu mbyll këtë sezon në Superiore me një finale të mirëfilltë ndaj Bylisit në Korçë, i ndërgjegjshëm që nuk ka shumë alternativa në dispozicion përveç fitores.
Skuadra korçare është aktualisht në zonën play-out, por do të jenë ndeshjet e javës së fundit ata të cilat do të përcaktojnë nëse do të vazhdojë të mbajë këtë pozicion. Dhe për ekipin korçar, alternativa e vetme është fitorja në këtë sfidë, pasi çdo rezultat tjetër praktikisht mund ta hedhë nga Superiorja.
Bilanci negativ në ndeshjet direkte që ka me Tiranën dhe Laçin, që e ndjekin me 2 pikë më pak në renditje aktualisht, bën që barazimi të jetë i pavlefshëm për korçarët, pasi mjafton që njëra nga këto dy skuadra të fitojë ndeshjen e vet që ekipi i drejtuar nga Gjoka ta shohin veten të rënë në Kategorinë e Parë.
Gjë që padyshim do të cilësohej si një katastrofë për ekipin korçar që ka regjistruar në fazën e katërt rekordin e këtij sezoni, me 12 pikë të siguruara deri tani, por që mund të mos mjaftojnë për ta mbajtur pjesë të elitës.