Djemtë e tij u qëlluan me breshëri kallashnikovi, pronari i “Pelikan Security”: 1 minutë vonesë, djali i vogël do vdiste

Bardhi Demiraj, babai i 11-vjeçarit Dior Demiraj, i cili mbeti i plagosur nga atentati mafioz në Lundër i disa ditëve më parë, ka reaguar për herë të parë në emisionin “Opinion” teksa ka treguar dhe gjendjen shëndetësore të të miturit. Në momentet e para të atentatit, ka qenë babai i dy djemve 11 dhe 17 vjeç, Bardhi Demiri, i cili udhëtonte me makinë tjetër, ai i cili mori fëmijët dhe i dërgoi te Trauma brenda një kohe shumë të shkurtër.

“Fëmijët i kam marrë unë dhe i kam dërguar te Spitali i Traumës me fuoristradën time. Po të prisja dhe 1 minutë më shumë vonesë, djali i vogël nuk jetonte më, ishte me 2 plumba në trup dhe 2 në dorën e majtë. Tani jemi në spital në Itali,“-shprehet Demiri.

Lajme të tjera |  “Sondazhisti i Trump", Rama: Çfarë nuk më dëgjuan veshët nga individët në studion televizive. Çmenduri!

Momentalisht 11-vjeçari Dior Demiraj dhe i vëllai i tij, 17-vjeçari Marko ndodhen në Itali për trajtim të specializuar, ndërsa gjendja e të miturit paraqitet e rëndë.

Si ndodhi ngjarja

Autorët dyshohet se kanë ndjekur mjetin tip ‘G Class’, ku po udhëtonin Arens Stafa, 34 vjeç, Kian Mullaj, 19 vjeç, Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç dhe Dior Demiraj, 11 vjeç. Këta të fundit janë djemtë e pronarit të kompanisë private “Pelikan Security”. Të katër po ktheheshin nga festa e ditëlindjes së 11-vjeçarit në momentin që një motor ka nisur t’i sulmojë tek rrethrrotullimi i Shkozës. Më pas i ka ndjekur duke i qëlluar me breshëri plumbash në ecje.

Deri më tani, nuk ka autorë të identifikuar, apo edhe zbardhje për motivin e krimit. Bëhet me dije se pas plagosjes së 4-fishtë dy atentatorët e armatosur me dy kallashnikov dhe me motorin e përdorur për atentatin udhëtuan deri në fshatin Fikas, Elbasan ku braktisën motomjetin dhe e dogjën. Ndërsa, armët e përdorura në krim, nuk janë gjetur.

Lajme të tjera |  Aksident në tunelin e Murrizit, bllokohet kalimi, disa ambulanca drejt vendngjarjes

Policia dyshon se në ngjarje është përfshirë edhe një person i tretë, që ka larguar autorët nga Fikasi, pasi braktisën dhe dogjën motorin. Hetuesit po këqyrin kamerat e sigurisë, për të marrë të dhëna të reja mbi drejtimin që kanë ndjekur më pas autorët. Për motivet e ngjarjes policia po heton në dy pista atë të ngatërrimit të objektivit dhe ndonjë konflikt të mundshëm të pronarit të Pelikani Security.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us