Mediat televizive kthehen në ‘zgjatim’ të propagandës partiake gjatë fushatës

Në më pak se dy javë, 3.7 milionë qytetarë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, do të kenë mundësinë që t’i drejtohen kutive të votimit ose kutive postare, për të zgjedhur deputetët që do t’i përfaqësojnë në legjislaturën e re të Kuvendit.

Në këto zgjedhje garojnë më shumë se 2 mijë kandidatë për deputetë nga 3 koalicione dhe 8 parti politike. Por ndërsa opsionet për të zgjedhur nuk mungojnë – me parti të konsoliduara dhe ato të reja në garë, informacioni për kandidatët dhe fushatën elektorale mbetet i kufizuar.

Të dhënat e pasqyrimit të fushatës zgjedhore në dy javët e para të saj, në 18 media audiovizive kryesore në vend, tregojnë për një mungesë të theksuar të pluralizmit në spektrin mediatik audioviziv, ku mbulimi i kandidatëve është përqendruar te dy liderët kryesorë të partive të mëdha politike – kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës, Sali Berisha.

Vetëm këta dy aktorë politikë morën më shumë se 81% të kohës televizive në edicionet informative, një tregues i mungesës së përfaqësimit të ofertave të ndryshme politike në tregun mediatik.

“Kjo tregon se media e ka humbur përfundimisht pavarësinë për të informuar, pasi është jo vetëm teknikisht e varur nga regjia e partive, por edhe konceptualisht ka humbur misionin e vet, që është dërgimi i një gazetari në terren për të na sjellë të vërtetën,” tha Koloreto Cukali, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias, një mekanizëm vetërregullues.

“Prej kohësh media nuk e ka më lirinë për të zgjedhur çfarë të transmetojë gjatë zgjedhjeve, dhe ky është një problem shumë i madh,” shtoi ai.

Sipas Kodit Zgjedhor, televizioneve u kërkohet të sigurojnë një mbulim të ekuilibruar, pluralist dhe të paanshëm gjatë fushatës zgjedhore, duke respektuar standardet e gazetarisë profesionale dhe duke shmangur përdorimin e gjuhës së urrejtjes. Kodi përcakton gjithashtu që transmetuesit duhet të caktojnë kohë të barabartë transmetimi për dy partitë më të mëdha parlamentare dhe këto parti nuk duhet të marrin më shumë se dyfishin e kohës së transmetimit të partive më të vogla politike me përfaqësim në Kuvend.

Për të kontrolluar respektimin e Kodit Zgjedhor, ligjëvënësi ka mandatuar Autoritetin e Mediave Audivizive, AMA, që të monitorojë gjatë fushatës kohën që i rezervohet çdo subjekti elektoral dhe t’ia raportojë të dhënat Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Të dhënat e AMA-s të analizuara nga BIRN tregojnë se media kryesore në vend – përfshirë transmetuesin publik, nuk i respetkuan parashikimet e Kodit Zgjedhor gjatë dy javëve të para të fushatës zgjedhore.

PD -PS dominojnë edicionet e lajmeve

Gjatë dy javëve të parë të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, BIRN analizoi të dhënat për minutazhin e subjekteve zgjedhore gjatë edicioneve informative në 18 televizione – të cilat tregojnë për një anësi të theksuar ndaj dy subjekteve të mëdha politke.

Sipas të dhënave, Kolacioni PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore mori pjesën më të madhe të mbulimit, 49.6% të kohës totale të transmetimit, e ndjekur nga afër nga Partia Socialiste me 44.8%.

Të gjitha subjektet e tjera politike së bashku – duke përfshirë partitë më të vogla dhe koalicionet e reja – morën mbulim minimal – më pak se 2% të kohës totale të transmetimit individualisht.

Megjithëse koalicioni i Partisë Demokratike udhëheq në mbulimin total në edicione informative, në tre stacionet kryesore private kombëtare – Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus, të cilat kontrollojnë pjesën dërrmuese të audiencës televizive, Partia Socialiste kryesoi me 52.4% të kohës së transmetimit, krahasuar me 44.6% për koalicionin opozitar.

Lajme të tjera |  Lobimi 6 mln$ i PD/ Rama: Berisha si Luli, patriotët po pastrojnë damkën nga balli i bufit, Latifi mori pjesën e tij

Transmetuesit publikë (RTSH 1 dhe RTSH 24) demonstruan një shpërndarje pak më të balancuar, megjithëse ende të dominuar nga dy subjektet kryesore, secili duke marrë rreth 44-45% të kohës së transmetimit.

Projektorët mbi Ramën dhe Berishën

Monitorimi i aktorëve politikë të paraqitur në edicionet e lajmeve gjatë dy javëve të para të fushatës nxjerr në pah një përqendrim dërrmues të mbulimit mediatik tek dy udhëheqësit kryesorë politikë.

Në 18 stacionet kryesore televizive së bashku, Sali Berisha mori 41% të kohës së transmetimit, ndërsa Edi Rama pasoi nga afër me 40%.

Të gjithë aktorët e tjerë politikë sëbashku përbënin vetëm 19% të kohës totale të transmetimit, duke sinjalizuar një mungesë të thellë të diversitetit në përfaqësimin politik në media.

Trendi ishte i ngjashëm edhe në transmetuesit publikë – RTSH 1 dhe RTSH 24, ku Berisha dhe Rama së bashku morën mbi 80% të kohës së mbulimit.

Në tre stacionet kryesore private kombëtare -Top Channel, TV Klan, Vizion Plus, kryeminitri Edi Rama siguroi më shumë se gjysmën (50.3%) e kohës së transmetimit, Berisha mori 42%, ndërsa aktorët e tjerë u reduktuan në vetëm 7.8% të hapësirës informuese.

Sipas Koloreto Cukalit, ky përqendrim i diskursit vjen si pasojë e asgjësimit të formacioneve politike në favor të liderit politik.

“Prej shumë kohësh, të paktën në partitë e mëdha, shohim një diktaturë partiake: një individ që ngrihet duke asgjësuar vullnetin, votën, pluralizmin dhe demokracinë brenda partisë – duke shkatërruar partinë për t’u ngritur vetë,” tha ai.

Transmetimet Live

Ndryshe nga edicionet informative, transmetimet e drejpërdrejta të aktiviteteve elektorale gjatë fushatës në televizione nuk rregullohen nga Kodi Zgjedhor.

Ky hendek ligjor u ka dhënë mundësi partive politike të mëdha ta keqpërdorin influencën që ato kanë në mediat audiovizive, duke i dhënë vetes një avantazh të ndjeshëm në mbulimin mediatik të fushatës.

Vetëm brenda dy javësh, 18 stacionet televizive të monitoruara i kushtuan gjithsej mbi 383 orë (23,013 minuta) transmetimeve të drejtpërdrejta aktiviteteve elektorale.

Partia Socialiste zuri 48.2% të kësaj kohe, ndërsa Aleanca për Shqipërinë Madhështore e ndoqi nga afër me 47.7%.

Të gjitha subjektet e tjera politike, të marra së bashku, morën vetëm 4.1% të kohës së transmetimeve ‘live’, duke e kufizuar më tej mundësinë e tyre për të arritur një audiencë të gjerë televizive.

Duke transmetuar drejtpërdrejt aktivitetet politike pa input gazetaresk, pa pyetje kritike apo pa kontekst editorial, mediat rrezikojnë të shndërrohen në platforma propagande të mesazheve të fushatës, duke mos përmbushur rolin e tyre si mediume të pavarura që informojnë votuesit.

Për ta ilustruar më mirë këtë pabarazi vlen fakti se vetëm Partia Socialiste në pushtet, mori mbi 185 orë transmetim të drejtpërdrejtë gjatë kësaj periudhe, ndërsa subjektet e vogla politike u përballën me vështirësi për të siguruar edhe një ekspozim minimal.

“Media tashmë është kthyer thjesht në një zgjatim teknologjik të regjisë së partive; ajo thjesht ndihmon për të propaganduar dhe për të transmetuar më tej një sinjal të prodhuar nga dikush tjetër,” vlerën Koloreto Cukali.

Kreu i Këshillit të Medias është pesimist edhe për pjesën e mbetur të fushatës, ndërsa nuk pret ndonjë hov cilësor për t’u informuar përpara se qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit,

Lajme të tjera |  RAPORTI-Përgjaken rrugët, 52 persona humbën jetën në tremujorin e parë 2025

“Ndryshimi do të vinte vetëm nëse media do të bënte një përpjekje, sado të vogël, për të qenë e pranishme me gazetarët e saj në fushatë, por unë nuk besoj se kjo do të ndodhë,” tha ai.

“Nuk shoh asnjë lloj vullneti nga ana e mediave për të ndryshuar status quo-në e informacionit, dhe sigurisht nuk shoh as ndonjë lëvizje brenda ‘establishment’-it politik për të ndryshuar mënyrën se si ata e orientojnë fushatën në aspektin e PR-it,” shtoi ai.

Liderët bojkotojnë debatet

Moniorimi i emisioneve të debatit gjatë dy javëve të para të fushatës, shfaq një situatë më pluraliste krahasuar me edicionet e lajmeve dhe transmetimet e drejtpërdrejta.

Gjatë kësaj periudhe, Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore mori pjesën më të madhe të kohës televizive (49.3%),  e ndjekur nga Partia Socialiste me 27.4%.

Edhe subjektet e tjera politike, duke përfshirë koalicionet më të vogla dhe partitë e reja, siguruan së bashku më shumë kohë transmetimi sesa në formatet e tjera televizive, por përfaqësimi individual mbeti shumë i kufizuar.

Ndërsa emisionet politike ofruan hapësirë ​​disi më të gjerë për zëra të ndryshëm, polarizimi i debatit dhe mungesa strategjike e figurave kryesore, vazhduan ta kufizonin pluralizmin kuptimplotë dhe përballjen kritike mes palëve.

Sali Berisha mori 9.6% dhe Edi Rama vetëm 4.3% të kohës totale të transmetimit në emisionet e debatit. Ndër individët që morën më shumë se 1% të kohës së transmetimit ishin figura të tilla si Jorida Tabaku, Belind Këlliçi, Lulzim Basha dhe Endrit Shabani, duke reflektuar një përfaqësim më të gjerë por të fragmentuar, shpesh pa përballje të drejtpërdrejtë midis pretendentëve kryesorë në zgjedhje.

Edhe pse për herë të parë në zgjedhjet e 11 Majit diaspora do të shprehë vullnetin e saj politik në kutitë e votimit, vetëm 8% e kohës totale të transmetimit në emisionit e debatit iu dedikua kësaj teme në dy javët e para të fushatës në mediat audiovizive kryesore – Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus.

Përveç një segmenti të dedikuar të transmetuar në emision “Opinion” në TV Klan me kryetarin e KQZ-së, mbulimi i kësaj risie thelbësore për zgjedhjet parlamentare ka munguar në emisionet politike.

Pak minuta reklama politike

Gjatë dy javëve të para të fushatës, 16 nga 18 stacionet kryesore televizive transmetuan reklama politike.Megjithatë, vëllimi total i reklamave politike mbeti shumë i kufizuar, me vetëm 74 minuta reklama të regjistruara në të gjitha stacionet televizive gjatë kësaj periudhe.

Brenda këtij volumi modest, Koalcioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore përbënte shumicën dërrmuese, me 80% të kohës totale të transmetimit të reklamave, ndërsa Partia Socialiste ishte përgjegjëse për 18.2% të minutazhit. Subjektet e tjera politike së bashku përbënin vetëm 1.8% të totalit.

Këto të dhëna tregojnë se reklamat politike në mediat audiovizive kanë luajtur një rol dytësor në dy javët e para të fushatës. Në vend të reklamave politike, strategjitë e komunikimit të partive politike dhe kandidatëve duket se janë mbështetur më shumë në reklamat online dhe në rrjete sociale, si dhe transmetimet ‘live’ të eventeve të fushatës./BIRN

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us