Lojtarët e Kombëtares shqiptare kanë qenë mjaft aktivë këtë fundjavë me klubet e tyre në Europë, duke dhënë sinjale tepër pozitive dhe duke qenë vendimtarë për skuadrat e tyre në fundin e sezonit. Shumica e tyre zbritën si titullarë në fushë, ndërsa vetëm pak prej tyre e nisën takimin nga stoli.
Kristjan Asllani ishte protagonist absolut në fitoren e Interit ndaj Veronës, ku mesfushori shqiptar shndërroi në gol një penallti, i dha fitoren zikaltërve dhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes. Ky triumf shumë i rëndësishëm e mban ende në lojë Interin për fitimin e titullit kampion.
Po ashtu, në Turqi, Rey Manaj vazhdon formën e mirë me fanellën e Sivassporit, duke realizuar gol ndaj Galatasarayt. Për Manajn, ky ishte goli i 12-të këtë sezon në kampionat, duke e renditur atë në listën e golashënuesve më të mirë në Turqi.
Një tjetër lajm pozitiv vjen nga Serie A, ku Elseid Hysaj dha asist në fitoren e Lazios kundër Empolit. Mbrojtësi i Kombëtares shërbeu saktë për Boulaye Dian që në minutën e parë të takimit, dhe në fund sfida u mbyll 0-1 për Lazion.
Titullarë përgjatë kësaj jave ishin edhe lojtarët: Elhan Kastrati, Ivan Balliu, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Jon Mersinaj, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Myrto Uzuni, Taulant Seferi dhe Mirlind Daku.