Është shtyrë përsëri seanca në lidhje me dosjen “Partizani”, ku sot pritej të merrej një vendim nëse çështja do të kalonte në gjykim apo jo.
Seanca u shty për një datë tjetër, që është pas zgjedhjeve, dhe është planifikuar të zhvillohet më 19 maj.
Avokati Genc Gjokutaj tha se gjykata ka gjobitur Sali Berishën me 10 mijë lekë për zvarritjen e seancave. Më pas, Gjokutaj theksoi se ata kërkuan sërish përjashtimin e gjyqtares Fjorela Davidhi.
“Sot kemi ardhur nga një rrëzim kërkese për përjashtimin e gjyqtares Fjorela Davidhi. Kërkesa ishte bërë nga avokatët, por Berisha u gjobit me 10 mijë lekë. Kjo është një çështje procedurale. Ne kërkuam që ky proces të vazhdonte në përputhje me ligjin, por gjyqtarja e refuzoi këtë kërkesë. Ne njoftuam gjykatën se do të kërkojmë pavlefshmërinë e të gjitha vendimeve të Irena Gjokës, pasi disponojmë vendimin e dënimit në Greqi. Gjykata e refuzoi këtë kërkesë pa pasur vendim në dorë, dhe për këtë arsye kërkuam një përjashtim tjetër për këtë gjyqtare, e njohur si ‘Irena 2’. Një gjyqtar i dënuar penalisht nuk mund të vazhdojë të jetë gjyqtar, dhe kjo çon në pavlefshmërinë e të gjitha vendimeve të tij,” tha ai.