Samiti i “Komunitetit Politik Europian” të premten në mbrëmje (16.05.2025) përfundoi sipas planit pa vendime. Eshtë hera e gjashtë, që 47 vendet europiane mblidhen në një samit të tillë në këtë konstelacion, ku në fokus janë konsultimet dhe shkëmbimet e mendimeve. Shqipëria është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që organizoi dhe mikpriti pjesëmarrësit e këtij samiti.
Krahas 27 vendeve të BE-së janë përfshirë në këtë format konsultimesh edhe vende të tjera europiane si dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar. Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj ishte të premten në Tiranë. Në mënyrë eksplicite Rusia nuk ishte ftuar dhe as vendi aleat i saj Bjellorusia.
Samiti i parë i madh me kancelarin e ri gjerman Merz
“Kjo është një mundësi e mirë për të takuar shumë kryetarë shtetesh dhe qeverish europiane,” tha Merz, kur mbërriti në ditën me shi në Tiranë në samitin e parë të madh europian për të në postin e kancelarit. Disa pjesëmarrës kanë “pritshmëri të larta tek kancelari gjerman, sikurse edhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen. Ajo tha, se gëzohet për bashkëpunimin, në radhë të parë në fushën e sigurisë dhe armatimit si dhe lidhur me migracionin. Kryeministri lituanez Gintautas Paluckas pret arritje të rëndësishme ekonomike dhe politike dhe e sheh Gjermaninë në kursin e duhur.
Me udhëtimet e tij të para në Paris dhe Varshavë, në Bruksel dhe Kiev Friedrich Merz deri tani është “prezantuar fuqishëm” në skenën europiane, thotë politologu Janis Emmanouilidis nga Think Tank-u në Bruksel “European Policy Center.” Por pritshmëritë ndaj tij dhe qeverisë së tij janë “ekstremisht të larta.” Shumë vende anëtare të BE-së mendojnë, se Gjermania duhet të bashkëdrejtojë më shumë në nivel europian, të marrë vendime dhe të çojë përpara proceset, nënvizon në intervistë për DW Emmanouilidis.
Nëse pritshmëritë mund të përmbushen, kjo varet se sa i fuqishëm do të jetë ai si kancelar në nivelin kombëtar, thekson politologu. Sepse ai së pari duhet të fitojë besimin e popullsisë si dhe brenda radhëve të veta. Ndonjëherë pyes veten, thotë Emmanouilidis, mos vallë pres shumë prej një kancelari, të cilit tani i duhet kohë së pari të ambientohet me rolin e tij të ri.
Ukraina në fokus të bisedimeve
Merz u prezantua i sigurt në vendin e tij në skenën europiane. Paradite ai doli në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin francez Macron, kryeministrin polak Tusk dhe kryeministrin britanik Starmer. Ndërkohë që në fundjavë të katër politikanët kishin udhëtuar bashkë në Ukrainë.
Pas një bisede me Volodymyr Zelenskyj të katër krerët e qeverive kanë telefonuar me presidentin amerikan Donald Trump, vuri në dukje Keir Starmer. Kryeministri britanik e quajti të “papranueshëm” qëndrimin rus. Sa i përket reagimit ndaj këtij qendrimi, për këtë jemi duke u konsultuar intensivisht.
Presidenti rus Vladimir Putin nuk iu përmbajt armëpushimit 30 ditor dhe nuk shkoi në Stamboll për bisedimet direkte me Zelenskyj për një armëpushim. Ky vendim u kritikua nga shumë pjesëmarrës në samitin në Tiranë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e quajti si “gabim” dërgimin e një delegacioni rus të nivelit të ulët për bisedimet në Stamboll.
Edhe kancelari gjerman u shpreh “shumë i zhgënjyer” nga bisedimet në Stamboll. Do të bëhen oferta të tjera bisedimesh dhe do të koordinojmë qendrimin e palës europiane dhe me amerikanët. Marrëdhëniet me SHBA-në ishin një temë e rëndësishme në konferencë.”Ne duhet të bëjmë gjithçka, për t’i mbajtur amerikanët në anën tonë,” u bëri thirrje Merz kolegëve të tij europian. Sepse, sipas tij, ajo që bën SHBA për sigurinë e kontinentit europian, është e pazëvendësueshme.
Bisedohet për sanksione të mëtejshme
Presidenti ukrainas Zelenskyj bëri thirrje për sanksione të mëtejshme kundër sektorit rus të energjisë dhe atij bankar, nëse kuptohet, që delegacioni rus nuk i ka seriozisht bisedimet. “Presioni duhet të rritet edhe më shumë, derisa të arrihen vërtetë përparime konkrete,” kërkoi Zelenskyj në prani të krerëve të shteteve dhe qeverive.
Paradite presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen deklaroi, se po përgatiten sanksione të reja ndaj Rusisë. Nëse këto sanksione janë dakordësuar edhe me SHBA, deri tani kjo nuk është e bërë e ditur. Sipas agjencisë së lajmeve dpa SHBA-së iu bë me dije se duhet vazhduar presioni i sanksioneve ndaj Rusisë.
Parimisht qeveria e re përpiqet të ushtrojë më shumë presion ndaj Rusisë, vë në dukje Janis Emmanouilidis për DW. Megjithatë, politiologu tërheq vëmendjen, që të mos mbivlerësohen mundësitë e influencës së europianëve. Ai mendon, se SHBA, Turqia dhe Kina kanë influencë më të madhe./DW