Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka përfunduar procesi i numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit të ardhura nga jashtë vendit (Greqi), për subjektet zgjedhore në disa qarqe. Paralelisht, procesi vijon për qarqet e mbetura, si dhe ka nisur numërimi për votat preferenciale të kandidatëve në listat e hapura. Në sallën e Parkut Olimpik në kryeqytet janë kandidatë nga e gjithë Shqipëria, që po monitorojnë votën personale, ku gara preferenciale po zhvillohet në qarqet Tiranë, Lezhë, Kukës dhe Korçë.
Pas numërimit të 80% të votës së diasporës për Qarkun Kukës, demokrati Isuf Çelaj rimerr përkohësisht mandatin e deputetit falë votave të diasporës. Bëhet fjalë për një diferencë prej 64 votash në total ndaj Shkelqim Shehut sipas KQZ kur janë reflektuar edhe rezultatet e 2852 nga 2917 zarfa total. Deputetët e PD-së që do të jenë në parlament në këtë legjislaturë janë Flamur Hoxha dhe Isuf Çela.
1-Isuf Çelaj 875 vota.
2-Shkelqim Shehu 393 vota.
3-Elvira Peka 309 vota.
Në Korçë, Besa Spaho e PS po përpiqet ta ruajë mandatin ndaj Eslemvera Zake.
Në Lezhë, Admir Kadeli ndodhet para Marjeta Nelit tek PS.
Gjithashtu vijon gara e fortë edhe brenda PS-së në Tiranë, pasi diferencat mes 4 kandidatëve vetëm për 2 vende në Kuvend, janë të ngushta. Konkretisht po ‘luftojnë’ për një vend nga kuota gjinore deputetet Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylameti, me këtë të fundit që nga numërimi pa Greqinë ishte në avantazh me 20 vota.
Tjetra është gara mes dy burrave, deputetëve Xhemal Qefalia dhe Ornaldo Rakipi, po për një vend. Rakipi ndodhej mbi 130 vota para Qefalias nga numërimi i votave brenda vendit.