Kursi i Euros e nis javën në rënie, pranë minimumit historik

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun e ka nisur javën me një rënie të ndjeshme. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të hënën me 98.11 lekë, në rënie me 0.45 lekë krahasuar me javën e kaluar.

Në fakt, rënia e Euros në tregun valutor ishte e përshkallëzuar gjatë pjesës së dytë të javës së shkuar. Por, duke qenë se ditët e enjte dhe të premte ishin pushime për administratën shtetërore, kursi zyrtar i këmbimit nuk ishte përditësuar prej Bankës së Shqipërisë qysh të mërkurën e kaluar.

Në ditët e para të javës së kaluar, Euro shënoi rritje, të lidhur me një shtim të përkohshëm të kërkesës në tregun valutor. Por, siç ka ndodhur zakonisht në vitet e fundit, kjo rritje nuk ka zgjatur shumë dhe në harkun e pak ditëve monedha europiane është rikthyer në vlera të përafërta me fillimin e javës së kaluar.

Duke filluar nga gjysma e dytë e muajit prill, kursi i këmbimit Euro-Lek ka pësuar një zhvendosje në rënie. Të dhënat e viteve të fundit tregojnë se një rënie e tillë është pak a shumë e zakonshme dhe lidhet me rritjen e flukseve valutore hyrëse, të lidhura sidomos me shtimin e numrit të vizitorëve të huaj. Megjithatë, disa agjentë nuk përjashtojnë edhe një ndikim të përkohshëm të fushatës zgjedhore në kursin e këmbimit, mbështetur në perceptimin se kjo periudhë shoqërohet me një qarkullim më të lartë të valutës së huaj.

Aktualisht, kursi i këmbimit Euro-Lek ndodhet pranë pragut të 98 lekëve dhe njëkohësisht vlerës më të ulët historike, që u shënua më datë 6 maj, në nivelin e 97.99 lekëve.

Lajme të tjera |  Pretendojnë se iu vodhën vota, Enkelejd Alibeaj, Ilir Alimehmeti, Blerina Gjylameti dhe 8 kandidatë të tjerë kërkojnë pamjet e numërimit nga KQZ

Sinjalet nga kursi i këmbimit tregojnë se edhe këtë vit tregu do të ushtrojë presione nënçmuese mbi monedhën europiane. Pas një tremujori të parë në nivele më të qëndrueshme, tremujori i dytë, ashtu siç pritej, ka nisur me zhvlerësimin e Euros. Agjentët mendojnë se kjo është një rrjedhojë e një sezoni turistik më të zgjeruar, që sjell rritje të prurjeve valutore që para fillimit të verës.

Edhe politika fiskale shtrënguese, me suficite të mëdha, e viteve të fundit tenton të shtrëngojë ofertën e Lekut me kalimin e muajve, duke shtuar presionin për mbiçmimin e monedhës vendase. Deri në fund të 3-mujorit, buxheti ishte përsëri në suficit të dukshëm, në vlerën e pothuajse 34 miliardë lekëve, me një rritje të mëtejshme me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Lajme të tjera |  SHIFRAT/ Diaspora thellon fitoren e Partisë Socialiste, dominon me mbi 60% të votave

Vitin e kaluar, zhvlerësimi i mëtejshëm i Euros u frenua nëpërmjet blerjeve të mëdha dhe të paprecedente të Bankës së Shqipërisë. Banka Qendrore bleu afërsisht 933 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në 2024, në vlerën më të lartë historike.

Duke qenë se inflacioni vazhdon të qëndrojë poshtë objektivit prej 3%, mund të pritet që Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ndjekë një strategji të ngjashme edhe këtë vit, për të kufizuar forcimin e Lekut./Monitor

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us