Shqiptarët duket se nuk i ndahen fjalorit online. Sipas një raporti të publikuar nga DataReportal, për vitin e gjashtë radhazi fjala “translate” kryeson listën e termave më të klikuar në motorin e kërkimit Google në Shqipëri, e ndjekur nga vetë fjala “google”, Albania, Moti dhe “Youtube”.
Për të kuptuar më shumë mbi këtë raport, i ftuar në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora Neës”, ishte eksperti i Teknologjisë dhe Informacionit, Besmir Semanaj.
Semanaj zbuloi shifrat e klikimeve të shqiptarëve për politikanët dhe forcat politike që ata drejtojnë në kuadër të interesimit të qytetarëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Pak a shumë edhe klikimet ishin në unison me rezultatin e zgjedhjeve, ku rezulton se z. Rama kishte rreth 39 për qind të klikimeve, i ndjekur më pas nga z. Berisha me 25 për qind, e duke e mbyllur me z. Tom Doshi i cili ka regjistruar numrin më të vogël të klikimeve në Google.
Ndërkaq ajo që ra në sy është fakti se pjesa e kandidatëve të futur në listën e mbyllur pothuajse nuk janë angazhuar fare në publikime në rrjetet sociale, çka bëri që kandidatët e listave të hapura të ihsin më të klikuarit se ata të listave të mbyllura.
Mendoj se partitë që ditën ta shfrytëzonin më së miri këtë ia morën dhe frytet.
Dy ishin publikimet që u kthyen totalisht në bumerang ishte videoja me ushqimet e kandidatit demokrat Klevis Balliu dhe videoja e kandidates socialiste Edona Bilali me të shtruarin në spital që do votonte për të”, u shpreh ndër të tjera eksperti i IT-së, Besmir Semanaj.