Në fokus zhvillimi i projekteve të përbashkëta, Agim Demrozi “zbarkon” në zyrat e klubit turk

Egnatia u shpall kampione e Superiores dhe tashmë si liderët e elitës, presidenti i rrogozhinasve Agim Demrozi vazhdon të jetë mjaft aktiv. Kreu i kampionëve së fundmi ka bërë një vizitë në Turqi, kur është pritur nga presidenti i Konyaspor, Omer Korkmaz.

Palët kanë diskutuar mes tyre për mundësinë e zhvillimit të disa projekteve të përbashkëta për zhvillimin e futbollit në të ardhmen. Ndërkohë pritet që në javët në vazhdim, kreu i Konyaspor t’i kthejë vizitën Demrozit.

“KF Egnatia zhvillon vizitë zyrtare në Turqi – Diplomaci sportive dhe bashkëpunim ndërkombëtar

Rrogozhinë, 23 maj 2025 – Në kuadër të konsolidimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe forcimit të diplomacisë sportive, një delegacion zyrtar i Klubit të Futbollit Egnatia, i kryesuar nga Presidenti Agim Demrozi, zhvilloi një vizitë të rëndësishme në Republikën e Turqisë.

Gjatë qëndrimit në Ankara, delegacioni i Egnatias u prit me nderime në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë nga zëvendëspresidenti i Partisë AK për Balıkesir dhe deputeti i Kuvendit të Turqisë, z. Mustafa Canbey. Në këtë takim miqësor, u theksuan sukseset e klubit Egnatia, i cili prej tre sezonesh është kampioni i padiskutueshëm i Superligës Shqiptare, dhe u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit sportiv midis dy vendeve.

Deputeti Canbey, një figurë e njohur për angazhimin e tij në çështjet e diplomacisë publike dhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, theksoi rëndësinë që ka futbolli si urë lidhëse mes popujve dhe shprehu vullnetin për të mbështetur çdo nismë që promovon bashkëpunimin ndërkufitar në fushën sportive. Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve miqësore midis Shqipërisë dhe Turqisë përmes sportit.

Më tej, delegacioni i KF Egnatia zhvilloi një vizitë zyrtare edhe pranë klubit Konyaspor në qytetin Konya, ku u prit nga Presidenti i klubit turk, z. Ömer Korkmaz, dhe bordi drejtues. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për projekte të përbashkëta në fusha të ndryshme si: zhvillimi i infrastrukturës, shkëmbimi i përvojave në trajnimet teknike, kampet verore për të rinjtë dhe politika të përbashkëta në tregun e transferimeve.

Presidenti Demrozi shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe vlerësoi se një bashkëpunim afatgjatë me një klub me traditë si Konyaspor mund të sjellë përfitime të ndërsjella, veçanërisht në aspektin e zhvillimit të talenteve të rinj dhe forcimit të kapaciteteve organizative të të dy klubeve.

Vizita përfundoi me shkëmbimin simbolik të fanellave dhe dhuratave, duke konfirmuar frymën e miqësisë që karakterizoi takimet. Presidenti i Konyasporit deklaroi se një vizitë kthimi në Shqipëri pranë KF Egnatia është planifikuar për të ardhmen e afërt”, njofton Egnatia.

Lajme të tjera |  Paraqitje dinjitoze e Sherrit ndaj kampionëve të Napolit, nuk zhgënjen as Asllani/ Ja notat dhe statistikat e futbollistëve të Kombëtares

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us