E zgjedhur deputete në Kuvendin e Shqipërisë, Zegjine Çaushi nuk ka ndërmend t’i ndahet Gazment Bardhit. Tashmë që KQZ ka çertifikuar rezultatin zgjedhor në qarkun e Fierit, ajo i është drejtuar me një tjetër videomesazh drejtuesit politik të PD në këtë qark.
“Ditë e madhe për tu shënuar sot. KQZ çertifikoi rezultatin e qarkut Fier, 12 me 4, por ditë e madhe edhe për një arsye tjetër, u ngjall Gazi im. O Gazo po ku ishe futur o lumëmadh, u shqetësuam të gjithë. Thamë mos bën ndonjë të pabërë nga dëshpërimi”, thotë deputetja e PS nga Roskoveci.
Ajo vijon me nota të forta ironie “t’i qajë hallin” Bardhit për humbjen e thellë që PD mori në qarkun e Fierit: “Ça ke bërë o yll i Kavajës tërë këto ditë, ku mi derdhe ato lotë? Në cilin sup e mbështete kokën mor aman? Po bababufi ç’të ka bërë që ju thaftë dora atij katili. Rëndësi ka që u kujtuat sot prapë për ne, se na kishte marrë malli, na kishte zënë meraku për ty”.
Që prej daljes së rezultateve paraprake të zgjedhjeve dhe projektimit të një humbjeje të thellë në qarkun e Fierit, ka mbizotëruar një heshtje thuajse e plotë nga ana e drejtuesit politik te PD, Gazment Bardhi. Mungesa e tij e plotë në procesin e numerimit të votave u evidentua edhe nga të gjitha mediat.
Këtë fakt e ka risjellë në vëmendje në mënyrën e saj origjinale deputetja e PS, Zegjine Çaushi, e cila e mbyll mesazhin e saj me një thirrje per Bardhin: “O Gazo, o madhështor, mos lë ditë të kalojë pa u bërë i gjallë, hë xhan se mërziten edhe shoqet e mia, s’kanë me çfarë të merren. Eh ditë e madhe sot, certifikimi i rezultatit, i ka dhembur bababufit dhe Gazit të Kavajës, ju kuptoj. Paçim Gazo, 117,736 vota për Partinë Socialiste, mos e harro këtë”