Opozita ndodhet në ditët e saj më të vështira pas 11 majit dhe veçanërisht gjendja e Partisë Demokratike, e cila mori edhe një humbje historike.
Endri Shabani, kreu i Nismës Thurrje dhe aleat politik i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, edhe pse vetëm me një mandat deputeti, tha se koalicioni opozitar i partive të reja mori 140 mijë vota, kurse Berisha dhe PD ra me mbi 200 mijë vota.
“Po shohim mundësinë për ta shtrirë bashkëpunimin edhe për 4 vitet e ardhshme, sepse kemi përpara edhe zgjedhjet lokale. Mendoj se jemi pak dhe duhet të zgjerohemi dhe forcohemi. Berisha thoshte para zgjedhjeve se me Ramën nuk bëhen zgjedhje, i vjedh, e tani del prapë e shprehet se u vodhën. Por problemi është edhe te opozita.
Këtu ka dy fajtorë, ai për keqqeverisjen është Edi Rama, me skandalet qeveritare, situatën ekonomike etj. Dhe gjendja e opozitës, me mosmbrojtjen e votës dhe të tjerat, ku fajtor për mua është Berisha. Ndërsa Berisha po bie me 140 mijë vota, ne po rritemi me mijëra vota.
A ka shpresë se Shqipëria ndryshon? Unë them po. Krahasimi është me 2021, ku numri i njerëzve që dalin për të votuar për ne është rritur. Rama nuk është rritur, ka rënë në vota, mbi 30 mijë vota më pak, Rama nuk është mazhorancë”, tha Shabani në ‘5 Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv.
Kreu i “Nisma Thurje” u shpreh se sistemi elektoral është i padrejtë, por marrëveshja Berisha-Rama i pengon, edhe pse ata kanë ndjekur të gjithë rrugën ligjore.
“Analiza se kush i prish punë opozitës, ne PD apo PD neve, kjo është e dyanshme. Puna është se 200 mijë njerëz që besonin më 2021 te opozita nuk dolën të votonin, pra i kanë ikur Berishës dhe PD-së. Kurse për ne janë 140 mijë njerëz që na besojnë, janë rritur. Shqiptarët na dhanë neve 64 mijë vota.
Për fat të keq PS mori 9 mandate me 64 mijë vota në Vlorë, kurse ne me kaq vota një mandat. Arsyeja është sistemi zgjedhor dhe shpërndarja e votës. Nuk kemi çfarë bëjmë më shumë se kaq, jemi ankuar, por është sistem i vendosur nga Rama e Berisha. Mund të bënim më shumë, bëmë sa mundeshim, ka vend edhe për kritikë.
Po ankohet Berisha që kishte numërues në komisione dhe anëtarë, ka gjysmën e KAS-it dhe përsëri ankohet. Unë mendoj se zgjedhjet e ardhshme 65 mijë votat tona do bëhen 650 mijë dhe aty ku u afruam me mandate, do kemi deputetë zgjedhjet e ardhshme. E sigurt është që ata vodhën njëri-tjetrin gjatë procesit të numërimit”, u shpreh Shabani.