Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka komentuar krizën e Partisë Demokratike gjatë një interviste në emisionin Dekalog të gazetarit Roland Qafoku në Dritare TV, duke theksuar se PD është zhytur në një cikël mosbesimi dhe ka humbur instiktin për të fituar pushtet.
Sipas tij, mungesa e fitoreve ka prodhuar një kulturë humbjeje të thellë, e cila ka shuar edhe memorien politike dhe lidhjen me elektoratin e ri.
“Në garën e brendshme të PD-së, shumë prej eksponentëve vazhdojnë të flasin për të shkuarën, për kohën kur ‘ishim ne’. Por koha ka kaluar. Janë bërë 20 vjet. Fëmijët e asaj kohe sot janë të rritur dhe nuk e njohin fare Partinë Demokratike,” tha Manjani.
Në këtë kuptim, ish-ministri theksoi se problemi i PD-së nuk është vetëm organizativ apo lidershipi, por një krizë më e thellë identitare dhe funksionale, që kërkon reformim rrënjësor në mendësi dhe qasje politike./L.F-dritare.net