Deputeti Erion Braçe mbajti fjalën e tij sot në Kuvend, teksa po diskutohej projektligji për mbrojtjen e kafshëve dhe bimëve. Ai përmendi dhe disa raste ku policia ka thirrur bujqit në komisariat.
Kjo lidhet me tokën ku ata kanë mbjellë shalqi dhe pjepër gjatë sezonit, hapësirë të cilën nuk e kanë zaptuar, thekson Braçe, i cili denoncon një ish pronar, i cili ka regjistruar tokën e shtetit në Kadastër.
Ata mbjellin shalqi dhe pjepër në sezon në pjesën e lumit të Imshtë, ç’punë ka policia këtu. Atje është ngritur një shqetësim, mendoja se ishte zgjidhur, por tani pas zgjedhjeve është riaktivizuar, e ka marrë mbi kurriz Policia të merret me këtë gjë. Thuhet qartë që të gjitha burimet ujore janë në pronësi të shtetit. Toka që mbjellin ata buzë lumit është e parashikuar me këto nene.
Ua marrin bujqve, për ta bërë panele fotovolatike, për ça është kjo dhe ku hyn policia këtu, duhej të ishte angazhuar se si ka mundësi që organet e njohjes së pronës dhe zyrat e Kadastrës janë regjistruar tokë shteti në emër të një ish pronari që merr përsipër ta tregtojë si dorë e dytë. Në vend që të merren me tokën që i merret shtetit, shkojnë e merren me bujqit që mbjellin dhe e kanë mbrojtur se edhe atje mund të kishte ndodhur fenomeni i marrjes së tokës publike. Policia po bën punën e përmbaruesit”, tha Braçe.
Ai replikoi dhe me demokratin Tritan Shehu, i cili ngriti problematikën se po shiten fostoksina dhe preparate të tjera të rrezikshme hapur. Braçe tha se institucionet ligjzbatuese duhet të veprojnë.
“Tregu çam nuk është treg që duhet të shesë produkte për mbrojtjen e bimëve dhe kafshëve. Është një treg tjetër si kushdo. E ka të ndaluar shitjen. Duhet të veprojnë institucione. Gjithçka vjen nga shkelja e protokolleve. Shkelen kudo. Dhe të veprojnë institucionet ligjzbatuese. Janë përgjegjëse. Nuk është fotoksinë, janë dhe preparatet të tjera që i shesin nën dorë në farmaci dhe vende të tjera. Duhet të veprojnë institucionet ligjzbatuese. Pasi dëmtojnë shëndetin tonë”, u shpreh Braçe.