Shqipëria në situatë të rëndë energjetike, KESH ble 26.5 mln euro energji për një javë

Shqipëria po përballet me një situatë të rënduar energjetike si pasojë e thatësirës së gjatë dhe konsumit të lartë që vjen nga temperaturat e nxehta. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka shpenzuar 26.5 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike vetëm për një javë.

Të dhënat zyrtare nga KESH tregojnë se rezerva hidrike e vendit është aktualisht 31 për qind më e ulët se sa mesatarja shumëvjeçare e periudhës dhe gati 42 për qind më pak se sa në të njëtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të KESH, aktualisht rezerva hidrike e vendit qëndron në kuotën 777.3 Giga nga 1122 giga që është mesatarja shumëvjeçare e periudhës dhe 1332.3 giga që ishte në qershorin e vitit të kaluar.

Lajme të tjera |  Nëna e Veliajt, letër të hapur për burgosjen e të birit: Pse Europa po i mbyll sytë ndaj një shkeljeje flagrante të vlerave mbi të cilat u ndërtua BE?

Për të përballuar konsumin e javës në vijim, KESH bleu mbi 47 mijë mega energji, ndërkohë që 145 mijë mega të tjera u blenë të shtrira në kohë me profil dorëzimi deri ne 31 korrik. Sipas ankandit të zhvilluar, Korporata kontraktoi në total mbi 200 mijë mega energji, me një cmim mesatar që varioi nga 132 deri në135 euro për mega duke e cuar koston totale të ankandin në 26.5 milionë euro.

Veç blerjes në import, KESH ka vënë në punë me kapacitet të konsiderueshëm dy anijet e Vlorës. Dy tigrat prodhojnë energji veçanërisht në oraret pik të mbrëmjes, ku konsumi mbetet i lartë, ndërsa prodhimi tkurret për shkak të daljes jashtë loje të fotovoltaikëve.

Të dhënat zyrtare nga Enti Rregullator tregojnë se në katër muajt e parë të këtij viti, dy termocentralet lundruese prodhuan mbi 41 mijë mega energji, por tani ato janë duke prodhuar me kapacitet shumë më të lartë për shkak të gjendjes së rënduar energjetike./Kapital.al

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us