Mesfushori i njohur i Kombëtares shqiptare, Lindon Selahi, ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.
Pas përfundimit të aventurës me klubin kroat Rijeka, 26-vjeçari ka zgjedhur të transferohet në elitën e futbollit polak, duke nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me skuadrën Vidzev Lodz, një klub me histori të pasur në futbollin polak dhe ambicie për të rikthyer lavdinë e dikurshme. Selahi ka kaluar te Lodz si lojtar i lirë, pasi përfundoi kontratën me Rijekën, dhe pavarësisht interesimit nga disa skuadra të tjera, ai zgjodhi projektin e ofruar nga klubi polak
TRAJNERI- Një tjetër faktor që e ka shtyrë Selahin drejt Lodz-it, është edhe trajneri Dragan Sopiç, me të cilin ka bashkëpunuar më parë te Rijeka. “Bëmë gjëra të bukura bashkë. Ai është një trajner shumë i mirë, por mbi të gjitha një njeri i jashtëzakonshëm. E kjo ka shumë rëndësi për mua,” theksoi mesfushori. Për Lindon Selahin, Polonia do të jetë përvoja e radhës pas Belgjikës dhe Holandës (ku ka luajtur për Standard Liezh dhe Tvente), si dhe Kroacisë. Ai sjell me vete eksperiencë ndërkombëtare dhe një profil lojtari me shpirt gare e disiplinë taktike.
KOMBËTARJA- Selahi nuk harroi të fliste edhe për Kombëtaren shqiptare, ku ka qenë pjesë e grumbullimeve dy vite më parë dhe synon që të rikthehet sërish: “Gjithmonë është kënaqësi të luash për Kombëtaren tënde! Sa herë vesh fanellën kuqezi, ndihem krenar dhe jap gjithçka, sepse nuk ka ndjesi më të bukur se të përfaqësosh vendin tënd. Jam krenar që jam shqiptar!”. Te Vidzev Lodz, Selahi do të bashkohet me një tjetër futbollist të Kombëtares, Juljan Shehu, i cili tashmë është pjesë e këtij klubi dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm në integrimin e tij të shpejtë. Menjëherë pas firmës, ditën e djeshme Selahi ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore me ekipin e tij të ri.