Vijojnë kontrollet për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Vlorës pas kritikave të kryeministrit Edi Rama. Prej dy ditësh, Task Forca e ngritur nga Bashkia e Vlorës vijon aksionin për lirimin e hapësirave publike në qytet. Gjatë natës dhe deri në orët e para të mëngjesit, janë larguar dhjetëra mjetet që kishin zënë hapësira të paautorizuara në zona të ndryshme të qytetit.
Njoftimi i policisë:
Gjatë 48 orëve të fundit janë hequr me karrotrec dhjetëra automjete të parkuara gabim, si dhe janë ndëshkuar me masa administrative drejtuesit e këtyre mjeteve.
Shërbimet e DVP Vlorë dhe ato të Komisariatit të Policisë Vlorë kanë vijuar me kontrollet intensive në qytet dhe në zonat turistike, me qëllim lirimin e hapësirave publike dhe rrugëkalimeve të zëna nga parkimi i gabuar i automjeteve.
Gjatë 48 orëve të fundit:
* Janë vendosur dhjetëra gjoba për drejtues automjetesh që kanë parkuar gabim, në rrugëkalime për këmbësorë, trotuare dhe segmente rrugore ku pengohej qarkullimi;
* Janë larguar me karrotrec automjete të parkuara në mënyrë të gabuar, që krijonin pengesë për lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve të tjera.
Policia njofton se në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë” është liruar një hapësirë publike prej 300 metrash katrorë në lagjen “Uji i Ftohtë”, ndërsa është proceduar penalisht administratori i subjektit që e kishte zënë me çadra, shezlongë dhe tavolina pa leje.
“Lirohet një hapësirë publike në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, procedohet penalisht administratori i subjektit që kishte zënë këtë hapësirë duke vendosur çadra, shezlongë dhe tavolina, pa leje. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në bregdet, pranë një restoranti në lagjen “Uji i Ftohtë”, konstatuan se administratori i këtij subjekti, shtetasi G. I., 62 vjeç, banues në Orikum, kishte zënë në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke publike prej 300 m², në të cilën kishte vendosur çadra, shezlongë dhe tavolina plazhi, pa qenë i pajisur me leje nga autoritetet përkatëse. Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimi penal ndaj shtetasit G. I., për veprën penale “Pushtimi i tokës”, parashikuar nga neni 200 i Kodit Penal,”-njofton Policia.
Nga ana tjetër Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, si dhe deputetët e zgjedhur të qarkut, të cilët kanë ndjekur nga afër punën e strukturave vendore dhe qendrore janë angazhuar në pastrimin e Pyllit të Sodës, si dhe zonës së Lungomares.
“Ishte bërë një thirrje për të ndërgjegjësuar komunitetin. Pra e gjithë administrata e bashkisë dhe drejtoritë në varësi të institucioneve qendrore kanë dalë të gjithë në terren duke u shpërndarë në zona të caktuara të qytetit që kemi parë si më problematike, duke bërë një aksion pastrimi por edhe për të dhënë një shembull që duhet të vazhdojë kjo gjë. Pra nuk është se e kemi bërë sot apo s’e kemi bërë më përpara por megjithatë është edhe një thirrje që i bëjmë të gjithë komunitetit, që të jenë të vëmendshëm se ku hedhin mbetjet, ku e kanë vendet dhe duke zbatuar oraret sa i përket bizneseve në Vlorë. Duhet të jenë të kujdesshëm se kemi çuar fletëthirrje në çdo biznes që të respektojnë orarin kur nxjerrin mbetjet. Na e bëjnë punën më të thjeshtë ne, dhe e mbajmë qytetin më të pastër. Mjedisi është gjithçka që na përket të gjithëve, jo vetëm bashkisë.”, u shpreh Dredha.
Pas porosive të lëna gjatë takimit të zhvilluar së fundmi, kryeministri Edi Rama do të rikthehet sërish të hënën për të parë nëse porositë janë zbatuar. Kreu i qeverisë u la “afat” zaptuesve që t’i lirojnë vetë deri të hënën, në të kundërtën s’do t’u mbetet më asgjë në dorë