SHKODËR– Vijojnë edhe sot kërkimet për trupin e kapitenit të një anijeje turistike, i cili u mbyt të martën në liqenin e Shkodrës gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë. Edhe sot, polumbarët po kërkojnë për trupin e tij në liqenin e Shkodrës, por deri më tani nuk ka asnjë shenjë të kapitenit.
Bashkë me forcat polumbare të Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, në terren po kërkojnë edhe punonjës të Bashkisë së Shkodrës.
E teksa kapiteni Arben Anamali ndërroi jetë, ia doli që t’i shpëtonte jetën dy turistëve të huaj që përfunduan në ujin e liqenit. Ata aktualisht ndodhen në spital, në gjendje të mirë shëndetësore. Lidhur me ngjarjen, ka pasur njw reagim edhe nga kryebashkiaku i Shkodrws, Benet Beci.
“Ky mëngjes është i trishtë për Shkodrën. Që prej mesditës së djeshme, forcat polumbare të FNSH-së, në bashkëpunim me punonjës të Bashkisë Shkodër, po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të kapitenit të anijes turistike në liqenin e Shkodrës, Arben Anamali. Strukturat do të jenë të angazhuara edhe gjatë ditës së sotme për të bërë të mundur gjetjen e trupit të Arbenit, kapitenit që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar turistët që po rrezikonin jetën. Fatkeqësisht, ky akt heroik u kthye në një tragjedi për të, për familjen dhe për të gjithë ata që e njohën.Jam pranë familjes Anamali në këto momente të vështira”, shkruan Benet Beci.