Prej disa muajsh, kursi i këmbimit nuk po përjeton luhatje të mëdha. Sipas Bankës së Shqipërisë, 1 euro po këmbehet aktualisht me 96.70 lekë. Në muajt e parë të 2025, 1 euro këmbehej me 98 ose 99 lekë, por shenjat e parë të rënies së tij u shfaqën në muajin maj për t’u thelluar në qershor. Pra, thyerja e madhe nisi në fillim të sezonit veror. Në muajin korrik dhe gusht, euro u fiksua pranë nivelit të 97 lekëve, ndërsa nga shtatori e deri më tani, monedha evropiane po këmbehet me 96 lekë.
Krahas të ardhurave nga turizmi, të cilat arritën në 1.9 miliardë euro në gjysmën e parë të vitit, edhe prurjet valutore të emigrantëve u rritën në 531 milionë euro.
Shqipëria ka një kurs këmbimi të lirë dhe jo të fiksuar, që nënkupton se Banka Qendrore e lejon kursin të vetërregullohet dhe nuk ndërhyn përveçse në raste të jashtëzakonshme. Edhe pse euro ka pësuar një rënie drastike në raport me lekun, Banka ka ndërhyrë në mënyrë të rezervuar në blerjen e valutës për të rregulluar kursin e këmbimit.





