Protestat që nuk ndezën

Jo çdo protestë e arrin finalen e parashikuar, por viti 2023, mund të quhet pa frikë, viti i kauzave të humbura, protestave të dështuara dhe ndërgjegjies qytetare të heshtur. Protestat e Shoqërisë Civile, ishin të destinuara të dështonin, ndërsa kauzat qytetare mbetën në gjysmë, të pafinalizuara. Ndërkohë që dhe politika nuk prodhoi asgjë serioze, protestat e tyre nuk ‘ndezen” as besim, as shpresë për të bashkuar njerëzit, që në fakt dhe në këtë rast zgjodhën ti braktisin.Disa nga protestat, që pavarësisht se u nisën nga ngjarje të rënda, u kaluan në heshtje nga qytetarët, të cilët duket se janë në gjumë letargjik. Po ashtu, ju sjellim një panoramë të protestave të ‘vdekura” të opozitës, që sot duken se nuk frymëzon askënd.

Protestat kundër ndërtimit të hidrocentraleve mbi Skavicë

Qytetarët e Dibrës e nisën dhe po e mbyllin vitin 2023 në rrugë. Me protesta kundër ndërtimit të HEC-eve mbi Skavicë, por që deri më sot kanë rënë në vesh të shurdhët. Sipas ambientalistëve ndërtimi i tyre do të shkatërronte florën dhe faaunën e pasur të zonës, ndërsa qytetarët, referuar dhe një studimi të bërë nga ekspertët shprehen se ndërtimi i HEC-eve mbi Skavicë do të përmbyste 30 fshatra dhe të rrënonte ekonominë e zonave ku do të ndërtohet.

Por ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël protestonte në vend, mbështetja më e madhe u erdhi nga shqiptarët që jetojnë në diasporë. Shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u mblodhën në Tiranë nën moton “Stop Skavica”, por sërish pjesëmarrja ishte e ulët, ndërsa protestat duket se nuk dhanë asnjë zgjidhje.

Protesta për Dan Hutrën, vrasësin e grave

Më 1 mars të këtij vitit kryeqyteti do të tronditej nga një masakër e ndodhur në Kamëz, ku Dan Hutra, i sapo dalë nga burgu ekzekutoi me kallashnikov, motrën e ish-gruas, kunatën shtazënë dhe një tjetër vajzë, të treja pa asnjë faj, “përveç njërit”, se kishin njohje me Hutrën, i cili për faj të drejtësisë vijonte të ishte i lirë, pavarësisht se në vitin 2007 ekzekutoi me thikë gruan e tij dhe pas krimit i lajmëroi dhe familjen.

Kjo ngjarje e rëndë pritej të nxirrte në rrugë gratë dhe vajzat e kryeqytetit dhe jo vetëm, por siç pritej reagimi qytetar ishte minimalist. Aktivistët e Shoqërisë Civile zgjodhën të organizonin protestën më 8 mars, një ditë simbolike për gruan, por që këto të fundit, nuk reaguan. Më pak se 50 persona kërkonin drejtësi për vrasjen e Mevlute Hysës, Elena Hysës, dhe Hasime Dafkut, ndërkohë që ‘’tubimi’’ më i madh, zhvillohej në kodrat e Liqenit Artificial, ku njerëzit zgjodhën te festonin dhe jo të protestonin. Ngjarje që tashmë ka zënë plurur në memorien e njerëzve, pasi u pasuan nga të tjera e të tjera.

Protesta për Urën e Zogut

E nisur që dy vite më parë dhe e vazhduar përgjatë gjithë vitit 2023, aktivistët e Shoqërisë Civile ngritën shqetësimin se Ura ikonike e Zogut, simboli i arkitekturës, e ngritur në lumin Mat, po shembej. Institucionet heshtën dhe e kaluan me qetësi të frikshme ndërsa kjo kauzë nuk arriti të ngrinte në këmbë as qytetarët. Në secilën protestë shfaqeshin aktivistët e njëjtë, ndërkohë që reagimi qytetar ishte në gjumë. Kur dukej se Qeveria do të rikthente sytë nga Ura e Zogut dhe aktivistët të kishin arritur një fitore, sërish restaurimi i saj mbeti pezull, pasi tenderi dështoi. Në momentet që flasim, pavarësisht se viti po mbyllet, ujërat e vrullshëm të lumit Mat, rrezikojnë të hedhin në tokë, urën, bashkë me shpresën se protestat në këtë vend ndonjëherë ia arrijnë dhe qëllimit.

Lajme të tjera |  Pse vendimi “non grata” nuk është hequr në faqen e DASH? Si përgjigjet Sali Berisha

Përdhunimi i 26-vjeçares në Vlorë

23 tetor 2023. Një 26-vjeçare përdhunohet nga Oltjan Tahiri, Gentjano Mehmeti dhe Albi Ceno, tre të rinj që kishin dalë për të “festuar” lirimin nga burgu të shokut të tyre. Pasi kanë konsumuar pije në ambientet e nje lokali, ku dhe dyshohet se e kanë droguar të renë janë ngjitur me vajzën në dhomën e hotelit ku kanë abuzuar seksualisht me të. Në pamjet e publikuara në mediat duket qartë se vajza mezi qëndron në këmbë kur ngjitet në dhomën e hotelit, ndërsa pas ngjarjes, ajo është gjetur nga stafi i hotelit pa ndjenja, të cilët më pas kanë lajmëruar dhe Policinë. Më vonë do të dilnin në dritë detaje të rënda sesi ishte tentuar të fshihej ngjarja. Kjo solli një valë protestash në disa qytete të vendit, por të gjitha përfunduara pa arritur misionin e tyre, u shuan madje ende pa nisur. Pjesëmarrja në protesta ishte e ulët, ndërsa njerëzit dukeshin sikur nuk interesoheshin për atë që po ndodhte pranë tyre. Por pse kështu?

Protesta e studentëve të Mjekësisë

Vendimi i Qeverisë, i cili do i detyronte të qëndronin 5 vite në Shqipëri pas diplomimit do të nxirrte në rrugë studentët e Universitetit të Mjekësisë këtë fillim viti akademik. Ndryshe nga protestat e tjera, tubimet e studentëve ishin më të organizuara dhe me pjesëmarrje thuajse të të gjithë atyre që prekeshin nga ai vendim. Duke protestuar çdo ditë përpara Fakultetit të tyre dhe Ministrisë së Arsimit, studentët e Mjekësisë, të cilët dukeshin të vendosur në kauzën e tyre, ia arritën qëllimit të tyre, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi Qeverinë dhe u dha të drejtë, por nuk morën një fitore të plotë. Kjo pasi pavarësisht thirrjeve të tyre, qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm nuk iu bashkuan kauzës së tyre, duke i lënë “vetëm”. Pavarësisht se kalonin në trotuarin ngjitur me ta, prindër, bashkëmoshatarë e studentë të tjerë nuk iu bashkuan, por ‘’shijonin’’ pamjen që shfaqej para tyre.

Protestë për ngjarjet në Veri të Kosovës

As patriotizmi nuk i ngriti në këmbë shqiptarët e Shqipërisë, për të mbështetur vëllezërit e Kosovës. Një protestë e thirrur në mbështetje të ngjarjeve në veri të Kosovës, ku një grup paramilitar serb hapi zjarr mbi Policinë e Kosovës dhe vrau efektivin Afrim Bunjaku nuk arriti të mbidhte më shumë se 100 persona në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Lufta Izrael-Palestinë

Lufta e nisur mes militantëve të Hamasit dhe Izraelit, nuk i ndjen pasojat vetëm në Rripin e Gazës, aty ku dhe po zhvillohen bombardimet më të forta, të dhunshme dhe brutale, por dhe tek pjesa tjetër e botës, ku jetojnë dhe punojnë palestinezët. Kështu një tubim do të thirrej në Tiranë, i cili do të bënte bashkë qytetarët palestinezë që jetojnë në Shqipëri, por do të nxirrte në rrugë dhe qytetarët e Tiranës.

Lajme të tjera |  LaCivita flet për herë të parë, a mund të udhëtojë Berisha në SHBA

Protesta për 3-vjeçaren e dhunuar në kopësht

Një 3-vjeçare dhunohet kopështin privat ‘Stinët” në kryeqytet. E mitura pësoi dëmtime pas dhunës së ushtruar nga edukatorja Majlinda Dehima, e cila më pas tentoi të fshehë ngjarjen, në bashkëpunimin dhe drejtuesit e institucionit, duke e paraqitur rastin si lëndim gjatë aktivitetit në kopësht, por gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Për rastin, Dehima përfundoi në burg ndërsa e pësuan dhe efektivët që nuk morën masat e duhura. Ndërsa rasti ngriti në këmbë dhe Policinë e Shtetit, por…jo vetëm, pasi ky rast solli dhe një reagim më të gjerë popullor dhe njerëzit zbritën në rrugë. Personazhe të shumtë publikë iu bashkuan protestave, të cilat u organizuan në lokacione të ndryshme dhe u përmbyllën në Ministrinë e Brendshme, duke mos vijuar më. Pavarësisht se numri i protestuesve këtë herë ishte më i lartë nga protestat e tjera të organizuara nga Shoqëria Civile, u përmbyllën pa arritur objektivin final, pas disa marshimeve, gjithçka përfundoi dhe rasti, si dhe shumë të tjerë ka zënë pluhur në memorien e njerëzve, e cila është e ngarkuar me hallet e përdtshmërisë së tyre.

Vrasja e Liridonës

Liridona Ademaj do të ekzekutohej mbrëmjen e 29 nëntorit nga Granit Plava me urdhër të bashkëshortit të saj, Naim Murseli, ky i fundit një personazh i njohur mediatikisht jo vetëm si sipërmarrës, por dhe si ish-Këshilltari i ish-Presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli. Naim Murseli e paraqiti ngjarjen si grabitje dhe tentoi të shpëtonte, por më kot. Ndërkohë që Kosova “ziente” nga një tragjedi e tillë, në Shqipëri Shoqëria Civile organizoi një protestë, e cila dështoi. Ajo që do të niste si një marshim që do të niste nga Ministria e Brendshme, u kthye në një protestë të “vrarë”, ashtu si Liridona Ademaj. ZËRI e ndoqi nga afër protestën, e cila fatkeqësisht nuk prodhoi asgjë.

Shqiptarët protestojnë Britaninë e Madhe

Shqiptarët në Britaninë e Madhe ngrihen në protestë për vetëvrasjen e Alfred Doskut dhe Leonard Farrukut në qendrën pritëse të azilkërkuesve. Ata mbërritën në Britaninë e Madhe për një jetë më të mirë, por ëndrrat mbetën në gjysmë dhe shpresat u vranë. Shkak për gjendjen depresive të tyre ishin kushtet e tmershme dhe keqtrajtimi nga ana e Policisë britanike. Këtë e dëshmojnë dhe familjarët e viktimave. Me dhjetëra shqiptarë u ngritën në protestë para zyrës së Kryeministrit Rishi Sunak, ndërkohë që lajmi në Tiranë për vdekjen e tyre ishte kaluar në heshtje (përveç raportimeve në media), qytetarët nuk reaguan.

Pse nuk “ndezën” protesta e opozitës?

Viti 2023, do të mbahet mend si viti i protestave të dështuara të opozitës. Kjo e fundit e gjendur në kushte aspak të zakonshme për shkak të përplasjeve mes vetes, nuk arriti të ishte katalizator dhe të ngrinte njerëzit në protestë dhe ti mblidhte rreth vetës. Tre protestat e fundit do ta mbyllin këtë vit me kauza të lënë rrugëve, objektiva të papërmbushura dhe “vulë” të lëna dyerve të gjykatave, të cilat nuk dinë t’i japin një zgjidhje./ZËRI

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us