Seanca e ballafaqimit mes të penduarit të drejtësisë Luftar Reçi dhe të akuzuarve Viktor Imeraj, Emiljano Shullazi dhe Indrit Rusi, është shoqëruar me debate të forta. Dy ekspertet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë ekzaminuar gjendjen e Reçit me kërkesë dhe vendim të SPAK, por përfundimi i tyre brenda 50 minutave ka habitur grupin që akuzohet nga Reçi për dy vrasjet e bujshme të ndodhura në vitin 2005, atë të Klodian Saliut dhe të Vajdin Lamajt.
Avokatët e të pandehurve debatuan ashpër me mjeket, duke u kujtuar se për bashkëpunëtorin ka pasur një tjetër akt ekspertimi në 2013, ku ai rezulton depresiv dhe jo i besueshëm. Ata pretenduan se ekspertiza për Luftar Reçin është kryer nën presionin e SPAK dhe se mjekët kanë qenë në dijeni që ai ishte bashkëpunëtor i drejtësisë.
Viktor Imeraj mori fjalën duke iu drejtuar eksperteve në seancë: Zonjat s’mbakan mend, mos vuani nga skleroza, na thoni t’ju japim ilaçe?
Më pas fjalën e mori Emiljano Shullazi, që iu tha ekspertëve: Si ka mundësi ju për 50 minuta intervistë, dolët në konkluzione për të, kurse ne këtu 4 orë kur u ballafaquam, s’arritëm ta kuptojmë?
I pandehuri tjetër, Indrit Rusi pyeti njërën prej mjekeve: A keni punuar në vitin 2016 në paraburgimin e Durrësit? Më mbani mend, se unë kisha një infeksion në dhëmballë, ti më thoje ke keq bajamet.
Dëshmia e Luftar Reçit zbardhi ekzekutimin e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt dhe me organizimin e operacionit “Asgjë nuk harrohet“, u ekzekutuan urdhër-arrestet për Emiljano Shullazin, Indrit Taullajn, Viktor Ymerin dhe vetë Reçin. Ndërsa Lul Berisha dhe kunati i tij, Plaurent Dervishaj ia kanë dalë të arratisen jashtë vendit. Berisha u prangos në Spanjë, ndërsa Dervishaj është ende në kërkim.
Luftar Reçi u zbërthye në dhjetor të vitit 2020 dhe tregoi me detaje para prokurorit të SPAK, mënyrën sesi ka ndihmuar bandën e Durrësit për të realizuar një minë me telekomandë që është përdorur për të ekzekutuar biznesmenin Vajdin Lamaj, ngjarje e ndodhur më 27 shkurt 2005. Reçi tregonte se minën e ka gjetur përmes njohjeve të tij.