Ish-ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka reaguar sot për herë të parë për shkarkimin e saj. Në rrjetet e saj sociale, Margariti shkruan se sot e mbylli zyrtarisht misionin e saj 5-vjeçar në krye të Ministrisë Kulturës, duke e cilësuar si një eksperiencë të jashtëzakonshme.
Në të njëjtin postim, ajo uron për detyrën edhe ministrin e ri, Bledi Gonxhaj.
“Sot përmbyll misionin tim 5-vjeçar në krye të Ministrisë Kulturës. Një rrugëtim i jashtëzakonshëm që më rriti si njeri dhe si profesioniste. I jam falenderuese kryeministrit Rama për besimin, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë, stafit të Ministrisë së Kulturës dhe kujtdo që na mbështeti në punën tonë, që e kemi bërë me shumë dashuri! Sot jam e nderuar që i kam shërbyer kulturës këto 5 vite; krenare për gjithë sa bëmë e do të vijohet nga pasardhësi; krenare për imazhin dhe jehonën e bukur që ka sot kultura shqiptare, si kurrë më parë! Suksese Ministrit Gonxhe në sfidën e re në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit,“- shkruan Margariti
Paraditen e sotme, Blendi Gonxhja u betua para presidentit si Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Bashkë me të, u betua edhe kolegia e tij, Adea Pirdeni, si Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Bashkë me ta, sot para presidentit Bajram Begaj ishte edhe Ervin Mete, i cili tashmë do të drejtojë vetëm Ministrinë e Financave.