‘Firma na ka zënë rrugën’/ Përplasjet në Astir, Policia ia ‘pason topin’ Prokurorisë

Policia e Tiranës ka reaguar këtë të enjte në lidhje me një video të publikuar një ditë më parë në faqen “JOQ”, ku disa banorë në rrugën “Pjetër Arbnori” në Astir denonconin një firmë ndërtuese që po ndërtonte një pallat me pretendimin se u kishte zënë rrugën. Në videon e publikuar qytetari telefon Policinë, ndërsa shprehet se ai dhe të paktën 13 familje nuk kanë se ku të kalojnë pasi pronari i subjektit në ndërtim u ka zënë rrugën.

Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se në lidhje me denoncimin, ka kontaktuar me drejtuesin e kompanisë që ndërton, të identifikuar me inicialet F.P, i cili shprehet se rrethimi i zonës është bërë në përputhje me lejen e dhënë nga Bashkia e Tiranës. Ndërsa shton se banorët kanë rrugë alternative kalimi.

Lajme të tjera |  Puna pas pensionit, domosdoshmëri apo zgjedhje? Shqipëria, mes rekordeve për punësimin e pensionistëve

Në videon e publikuar një ditë më parë, shihet dhe se si Policia, i mbyll telefonin qytetarit, teksa ai fliste, ndërsa përplasja mes banorëve dhe Policisë disa ditë më pare ka qenë e fortë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Në lidhje me një video të publikuar në portalin “JOQ”, ditën e djeshme, ju informojmë se: Më datë 23.01.2024, është paraqitur dhe ka depozituar kallëzim në Polici, shtetasi Sh. H., i cili ka kallëzuar se një firmë ndërtimi, e përfaqësuar nga shtetasi F. P., ka hapur gropa në pronën e tij, për të vendosur binarë për rrethimin e murit, dhe në këtë rrethim ka bllokuar rrugën e banorëve të lagjes, konkretisht 13 familjeve. Në vijim të veprimeve i është marrë deklarim banorëve të tjerë të zonës, që gjithashtu kanë pretendime për bllokimin e rrugës nga kjo firmë, të cilët kanë deklaruar se nqs bllokohet rruga, ato nuk mund të hyjnë dhe të dalin në banesat e tyre. 

Përfaqësuesi i punimeve të kësaj firme, shtetasi F. P., ka deklaruar se rrethimi i zonës, është bërë sipas lejes se marrë nga Bashkia Tiranë, dhe se ka rrugë alternative për të kaluar.  Nga ana e Policisë, i është drejtuar shkresë institucioneve përkatëse, IKMT, IMT Bashkisë Tiranë, Njësisë Administrative Nr. 14, dhe janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshën Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./ZËRI

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us