Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ka nisur procedurat e lobimit në SHBA, për të informuar qeverinë amerikane në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj tij nga drejtësia shqiptare. Sipas Ahmetajt këto akuza janë politike dhe të pavërtet, dhe për këtë ai ka nënshkruar një kontratë lobimi me vlerë 150 mijë euro, për të pastruar figurën e tij në SHBA.
Dokumentet e bëra publike nga kompania e lobimit, zbulojnë dhe vendndodhjen e Ahmetajt, i cili po qëndron në qytetin e Luganos një Zvicër, që njijet dhe si redidencë për biznesmenët dhe bankat, dhe ndodhet një kufi me Italinë. Kompania e kontaktuar nga Ahmetaj për lobimin, është Prism Group. Në deklaratën e saj kjo kompani synon që të veprojë për llogari të dy personave, që janë Arben Ahmetaj dhe partnerja e tij aktuale Erjola Ahmetaj. Deklarata thotë se lobuesit kanë në plan “të kontaktojnë elemenentë të ekzekutivit dhe legjislativit të qeverisë së shtetit amerikan në përmbushje të detyrimeve kontraktore”.
Synimi i lobimit është “të edukojë politikbërësit mbi akuzat penale të pavërteta të ngritura ndaj klientit nga Qeveria e Shqipërisë”.
Ahmetaj merr përsipër të paguajë 150 mijë dollarë për zbatimin e kontratës, nga të cilat 50 mijë paguhen menjëherë me nënshkrimin, ndërsa pjesa tjetër paguhet në 4 këste nga 25 mijë dollarë çdo muaj deri në korrik.
Sipas tekstit, kompania amerikane do të kryejë shërbimet e mëposhtme për llogari të Ahmetajt:
Këshilla për të drejtat ligjore, politike dhe njerëzore të Klientit dhe shkeljet e këtyre të drejtave nga qeveria dhe aktorët politikë në Shqipëri;
Lobim drejtpërdrejt në Qeverinë e SHBA-së (departamentet dhe agjencitë e degës ekzekutive federale dhe Kongresin) për çështjet në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Shqipëri, përfshirë programet e ndihmës së huaj, korrupsionin zyrtar, mbështetje ekonomike dhe tregtare, ndihmë ligjore dhe drejtësie, dhe partneritete të ndryshme rajonale;
Do të zhvillojë marrëdhënie me aktorë të tjerë të interesuar për të mbështetur qëllimet e këtij projekti.
Do të kryejë takime të rregullta javore (dhe përditësime me shkrim) me Klientët për t’i informuar ata për aktivitetet e Kompanisë në lidhje me to.
“Grupi Prism parashikon kontaktimin e elementëve të degës ekzekutive dhe legjislative të qeverisë së SHBA-së në zbatimin e kësaj marrëveshjeje,” thuhet në dokumentin e depozituar në FARA.
Të enjten e kaluar, ish-numri 2 i qeverisë Arben Ahmetaj, në një intervistë televizive hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, për të cilin tha se donte që ta bënte kokë turku, për t’i shpëtuar përgjegjësisë për inceneratorët. Ahmetaj tha gjithashtu se Erion Veliaj është pronari faktik i inceneratorit të Tiranës. Vetë ai dyshohet se po qëndron në Zvicër ku ka nisur dhe procedurat për marrjen e azilit. Pavarësisht se akuzat e tij ishin direkte dhe të forta, e madje hodhi dhe dyshime se ishte kërcënuar me jetë, nga socialistët në pushtet nuk ka pasur deri tani asnjë reagim. Mbetet të shihet nëse Rama do ta pranojë apo jo kërkesën e opozitës për interpelancë në Kuvend.