Në momentet përmbyllëse të fushatës elektorale, presidenti i zgjedhur i Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, i cili fitoi zgjedhjet nga burgu dhe do të betohet si lideri i ri i vendit të martën, doli në skenë duke mbajtur përkrah të dy gratë e tij, Marie dhe Absa. Ishte një pamje e paprecedentë në politikën kombëtare të vendit të Afrikës Perëndimore dhe një zgjedhje e qartë nga fituesi i raundit të parë që premton ndryshim rrënjësor.
Poligamia është një praktikë tradicionale dhe fetare e ankoruar fort në kulturën e Senegalit ku shumica dërrmuese janë myslimanë. Marie Khone, e cila deri më tani nuk kishte qenë kurrë në qendër të vëmendjes, vjen nga i njëjti fshat me 44-vjeçarin Faye. Ata u martuan 15 vjet më parë dhe kanë katër fëmijë. Ai u martua me gruan e tij të dytë Absa pak më shumë se një vit më parë.
“Është njohja përfundimtare e traditës së poligamisë në krye të shtetit, me një situatë që do të pasqyrojë realitetin senegalez,” tha sociologu Djiby Diakhate.
Shumë burra e lavdërojnë praktikën ndërsa gratë priren të mbeten “mosbesuese”, shtoi ai.
Poligamia ka ngjallur prej kohësh polemika dhe dalja publike nga BDF, siç njihet ai, me dy bashkëshortet e tij në krah të brohoritura nga mijëra mbështetës të tij, e ka bërë atë një temë kryesore të bisedës në media, duke shkaktuar reagime të ndryshme.
“Të jesh grua e dytë më shkon më shumë se të jem e para”, është shprehur me krenari këngëtarja e njohur Mia Guisse në një video që u bë virale së fundmi.
Sociologu i njohur Fatou Sow Sarr tha në X, se “poligamia, monogamia, poliandria janë modele bashkëshortore të përcaktuara nga historia e çdo kombi”.
“Këto modele tani janë në konkurrencë me martesën homoseksuale,” shtoi ai, në një vend ku homoseksualiteti dënohet nga një deri në pesë vjet burg.
“Unë me të vërtetë mendoj se Perëndimi nuk ka legjitimitet për të gjykuar kulturat tona,” shtoi Sarr në një mesazh pasues në X.
Megjithatë, shumë gra senegaleze thonë se e shohin poligaminë hipokrite dhe të padrejtë, ndërsa Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha në një raport të vitit 2022 se ajo përbënte diskriminim ndaj grave dhe duhet t’i jepej fund.
Shumë martesa nuk janë të regjistruara në Senegal, duke e bërë të vështirë të thuhet saktësisht se sa prej tyre janë poligame. Por sipas një raporti të vitit 2013 nga agjencia kombëtare e statistikave dhe demografisë, 32.5 për qind e senegalezëve të martuar ishin në një bashkim poligame. Mosha mesatare e grave në kohën e martesës së tyre ishte 40.4 vjeç dhe 52.9 për burrat, thuhet në raport.
Diakhate, sociologu, tha se Faye kishte dërguar një “sinjal të fortë në mënyrë që edhe burrat e tjerë të pranojnë polgjigaminë e tyre dhe që ata të demonstrojnë transparencë si ai”. Ai tha se kishte “pa dyshim një vullnet” për t’i dhënë fund poligamisë së fshehur, e njohur në gjuhën wolof si Takou Souf, që ai shtoi se do të ishte “një gjë e mirë për ekonominë e vendit dhe për situatën bashkëshortore”.
Në përgjigje të kritikëve, presidenti i ardhshëm, i cili fitoi 54.28 për qind në votimin e 24 marsit, nuk tregon gjë tjetër veçse krenari për situatën e tij familjare.