U arrestua për vjedhjen e sistemit TIMS, zbardhet dëshmia e Ervin Muçës

Drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça u arrestua mbrëmjen e djeshme, nën akuzë se ka ndërhyrë në sistemin TIMS duke kopjuar të dhënat.

Ditën e sotme është zbardhur dëshmia e tij para prokurorëve, ku ai ka pretenduar se synimi nuk ishte eksportimi i të dhënave jashtë Policisë së Shtetit, por “back up”-i i tyre.

Ndërkohë që gjatë hetimit u konstatua fakti që Ervin Muça, pavarësish se mbante postin e drejtuesit në një departament kaq të rëndësishëm në Policinë e Shtetit, që ka të bëjë me të dhënat, ishte emëruar në këtë sektor, pa pasur një certifikatë sigurie, raporton emisioni “Në Shënjestër”, i gazetares Klodiana Lala.

Mbrëmjen e djeshme, Muça u pezullua po ashtu nga detyra si drejtor i IT.

“Unë jam emëruar në detyrën e Drejtorit të Teknologjisë dhe Informacionit më datë 25 qershor 2023. Ajo që dua të theksoj është që nuk kam qenë asnjëherë i punësuar në strukturat e Policisë së Shtetit dhe për këtë arsye nuk jam i pajisur me certifikatë sigurie. Në lidhje me emailin jam njoftuar më datë 3 gusht 2023 rreth orës 09.30 nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ku jam vënë në dijeni mbi dërgimin e një emaili nga ana e një punonjësi të kësaj drejtorie, dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ku ngrihej shqetësimi i shkeljes së rregullave standarde të sigurisë së sistemeve. Për këtë arsye nga ana e Drejtorisë kishte filluar hetimi administrativ. Ardit Muço ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij pa treguar shkaqe të arsyeshme. Për këtë shkak ndaj tij në muajin gusht 2023, ka filluar një hetim administrativ. Kjo edhe për faktin që ai nuk ka zbatuar urdhrat e eprorit.

Lajme të tjera |  Kush është në stadium/ Nga kreu i SPAK, Altin Dumanit, tek Andi Bushati, Baton Haxhiu dhe motrat Vjollca!

Më datë 2 Gusht 2023, unë telefonova vetë shefin e sektorit të IT-së, Ardit Muço, ku duke qenë se ky i fundit kishte dhënë dorëheqjen, unë i kërkova që të transferonte njohuritë e tij mbi sistemin te vartësit e tij brenda sektorit. Por duke qenë se nuk mora një përgjigje prej tij, atëherë urdhërova mbylljen e aksesit të tij në sistem. Po këtë ditë unë bisedova edhe me A. V, specialiste në sektorin e database, në lidhje me analizimin e situatës së back up-eve.  Ku ajo më informoi se nuk kishte asnjë testim aktual që të vërtetonte që back up-et janë funksionale.  Po kështu unë fola edhe me dy specialistë të tjerë që më thanë se procedura e back up-eve ndiqej nga shefi i sektorit Ardit Muço, dhe se ata nuk dispononin njohuritë për ta bërë një gjë të tillë.

Lajme të tjera |  Pensionet e reja, miratohet vendimi me koeficientët e pagave! Si do të bëhet përllogaritja për 40 mijë të moshuar që përfitojnë

Unë e urdhërova kryerjen e back up-it, për të krijuar një sistem të qëndrueshëm dhe në bazë të një analize të riskut të kryer, por garantoj që nuk ka pasur dalje të të dhënave jashtë serverit. Më datë 2 Gusht 2023, unë thirra A. V, që të vinte në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit dhe të fliste me specialistët e sektorit, me qellim kryerjen e back up-it.  Ku testi i back-upit do të mbahej në një kopje të paaksesueshme në kasafortën e Policisë së Shtetit. Për këtë arsye më datë 2 Gusht, unë kërkova ndihmën e kolegut Klodian Mazari, që punonte si përgjegjës sektori pranë AKSHI-t”, ka deklaruar Muça.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us