Nga Eduard Zaloshnja
Në fjalimin e tij në Asamblenë Socialiste të Qarkut Tiranë, Erion Veliaj deklaroi se PS-ja duhet të fitojë e vetme në zgjedhjet e 2025-ës, në mënyrë që të mos mbetet peng e ndonjë partie të vogël në katërvjeçarin e ardhshëm qeverisës socialist. Dhe ai theksoi se Qarku Tiranë ka numrin më të madh të mandateve parlamentare në vend, e si i tillë, përbën fushëbetejën më të madhe elektorale më 2025
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje zhvillova dje një sondazh me SMS krejt të rastësishme, të shpërndara proporcionalisht në gjithë territorin e Qarkut Tiranë (qytete e fshatra). Plot 1218 banorë të rritur të qarkut e plotësuan pyetësorin e shpërndarë përmes linkut të përfshirë në SMS. Kampionin e ripeshova gjeografikisht, demografikisht, dhe politikisht, për ta përfaqësuar sa më mirë popullsinë e rritur të Qarkut Tiranë. Marzhi i gabimit statistikor ishte +/-3.1%.
Nga sondazhi rezultoi që, nëse zhvillohen zgjedhjet parlamentare sot, plot 36% e banorëve të rritur të Qarkut Tiranë nuk do të votonin fare. Ndërsa ndër ata që janë të vendosur të votojnë qysh sot, pothuaj gjysma do t’ia jepnin votën PS-së. Kurse pjesa tjetër e votave do të shpërndahej mes partive të ndryshme opozitare (shihni Garafikun 1 më poshtë).
Dhe si do të përktheheshin sot këto vota në mandate parlamentare në Qarkun Tiranë?
Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetje duhen bërë dy sqarime të rëndësishme elektorale: Së pari, bazuar në listën aktuale të zgjedhësve, Qarkut Tiranë do t’i takojnë tani 38 mandate parlamentare, nga 36 që i takuan më 2021 (me siguri pothuaj të plotë arthmetikore); së dyti, njësoj si më 2021, Kodi Zgjedhor në fuqi nuk lejon koalicione paraelektrorale shumë-listore (d.m.th., çdo subjekt elektoral duhet të futet në zgjedhje me listë kandidatësh më vete, pa i grumbulluar dot votat në një thes të përbashkët me subjekte të tjera që garojnë me listat e tyre).
Duke mbajtur parasysh dy faktet e rëndësishme të mësipërme, rezulton se me votat e të vendosurve të sotëm, PS-ja siguron sot 20 mandate në Qarkun Tiranë, nga 18 që mori më 2021. Ndërsa partitë e tjera sigurojnë 18 mandate, nga 18 që morën më 2021 (shihni Grafikun 2 më poshtë).