Partia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje duket se po kalon një krizë. Dy deputetët e Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica kanë dhënë dorëheqjen për t’iu bashkuar partisë së Behgjet Pacollit, Aleanca Kosova e Re dhe partisë së Ferid Aganit, Partia e Drejtësisë.
Deputeti Rrahmani tha se ai u largua nga partia e Albin Kurtit për shkak të dispozitës së projekt-kodit civil. Ai nuk kurseu as kritikat ndaj Kurtit, ku u shpreh se ka dështuar në instuticionet kryesore si ato të arsimit, shëndetësisë dhe ekonomisë. Sipas tij, të rinjtë po largohen nga Kosova dhe nuk po merret asnjë masë për ta parandaluar këtë.
“Po bashkohemi në një koalicion për familjen. Projekt-kodi civil që me disa dispozita të tij cenon familjen tradicionale, Projektligji për shëndetin riproduktiv që tenton dhe legalizon fertilizimin dhe dhurim pa identitet të njohur që dërgon në incest dhe mos të flasim për cenimin e familjes. Lejimi i ndërrimit të gjinisë sipas ndjesisë në Projektligjin për gjendjen civile madje edhe tek fëmijët dhe shumë aktivitete në Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Arsimit na kanë obliguar të bashkohemi dhe të mendojmë dhe të veprojmë rreth angazhimit politik për familjen. Vazhdimi i ikjes nga vendi të të rinjve, punëtorëve profesionist dhe të gjitha kategorive të tjera shoqërore është bërë barrë e madhe që po e rëndon Kosovën. Mosngritja e koeficientit në sektorin publik, paga e ulët minimale, vazhdimi i nepotizmit dhe shumë dukurive të tjera…Vazhdimi i mospërmirësimit në arsim, ekonomi dhe shëndetësi kanë qenë problemet kryesore që kanë vazhduar të vështirësojnë jetën e qytetarëve”, tha ai.
Rrahmani tha se fakti se ai iu bashkua partisë AKR simbolizon kauzën për të ruajtur familjen tradicionale. Ai tha se në bashkëpunim me Pacollin ata kanë rënë dakord të krijojnë koalicion Lista për Familjen, ku si thelb ka mbrojtjen e familjes.
“Kjo nuk i bie shkrirje as në AKR dhe as PD. Ky prezantim i këtij koalicioni për familjen sot është formal, pasi ne bashkë me Visarin këtë proces e kemi filluar qysh para dy viteve rreth mendimit sesi do të vijmë te zgjedhjet e ardhshme a do të vazhdojmë me subjektin ku kemi qenë dhe gjëra të tjera. Për shkak të shpalljes së zgjedhjeve ka qenë e pamundshme regjistrimi i subjektit të ri politik dhe krijimit të koalicionit. Si subjekt i ri politik kemi mundur të regjistrohemi por ka qenë data 1 shtator përfundimi i afateve të lidhjes së koalicioneve. Në dakordim me AKR-në dhe PD-në ne kemi kërkuar që të regjistrohet si koalicion i tillë. Emri i koalicionit është Lista për Familjen AKR-PD. Ne do të garojmë në koalicion të përbashkët me këto dy subjekte. Ky është një proces që sot ka filluar, do t’i prezantohet të gjithëve që kanë interes, përfshirë deputetë, pastaj mbetet vendim i tyre për rreshtimin politik. Vazhdimi si deputet do të jetë ashtu siç ka qenë do të mbështesim secilën iniciativë ligjore e cila vjen në Kuvend dhe është e dobishme për vendin, si dhe do të kundërshtojmë secilën iniciativë apo çështje tjetër që është në dëm dhe kundër interesave të qytetarëve. Puna në Kuvend do të vazhdojë njëjtë siç ka vazhduar deri sot”, përfundoi Rrahmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 9 shkurtin e vitit 2025 si datën kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë. Në dekretin e nënshkruar nga Osmani thuhet se caktimi i datës së zgjedhjeve u bë pas konsultimeve me partitë politike dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.