Deputeti i Partisë Socialiste Eduard Shalsi gjatë seances plenare tha se inflacioni është ulur. Më tej ai shtoi se papunësia është ulur me 10.5%, sipas tij një nga nivelet më të ulëta në histori.
“U humbën dy orë të rëndësishme për të folur për probleme personale. Inflacioni sot është më i ulët. Kemi konsoliduar ekonominë. Depozitat janë rritur, kreditë janë rritur, bankat janë likuide, sistemi banker është i qëndrueshëm, papunësia është 10.7 përqind, në nivelet më të ulëta në histori. Konsumi privat është i lartë, investimet e huaja janë shtuar”, tha Shalsi.
Por, gjatë fjalimit të tij ai “sulmoi” edhe deputetët e opozitës, duke i quajtur ata “langaraq politik”. Drejtuar opozitës, ai tha se në sallën e Kuvendit ata i shajnë ndërsa në darkë i kërkojnë falje oligarkëve.
“Ne si qeveri vetëm rritemi. Shqipëria është shumë më mirë se ç’ka qenë. Patjetër që ka gjëra që duhen ndryshuar, por ekonomia është e konsoliduar. Indikatorët ekonomikë janë të mirë. Unë nuk jam langaraq politik. Ju shani këtu dhe në darkë kërkoni falje te oligarkët dhe thoni se na e do politika. Shkoni sa në një prehër politik tek tjetri”, përfundoi Shalsi.
Por, nga ana tjetër kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se Shalsi ka fshehur pasurinë e tij në emër të gruas, duke e rritur atë në 1.8 milionë euro.
“Ti flet këtu për familjen tënde. Ti flet këtu për familjen tënde. E ka shtatë-fishuar pasurinë e familjes. Fsheh 1.8 milionë euro në emër të gruas. Sqaro mirëqenien e familjes tënde, se shqiptarët i keni harruar me kohë”, tha Bardhi.





