Meta rrëfehet sërish nga qelia e “313”: Po stërvitem në kushte të vështira, dua të rikthehem në “top formë”

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta flet ekskluzivisht për Top Channel pas më shumë se dy javësh në qeli. Në një intervistë për gazetaren Elda Menga, ai thotë se në qeli ka vijuar të stërvitet, por nuk ka kërkuar palestër, siç është përfolur në media.

INTERVISTA E METËS:

Presidenti Meta: Altin Dumani është Lej Feni i “Drejtësisë së re”

1. Sot po bëhen dy javë në burg, si i kalon ditët Ilir Meta në qeli dhe a është e vërtetë ajo që thuhet në media se keni pasur kërkesa specifike, si për shembull një palestër që të stërviteni?    

Ilir Meta: Normal që gazetarja e Dumanit do të vazhdojë të shpërndajë shpifje për jetën time edhe në burgun e Narkoregjimit. Unë vetëm kam pyetur a ka palestër dhe asgjë më shumë. Unë vazhdoj të ushtrohem çdo ditë duke shpikur ushtrime sipas rrethanave. Jemi në Maratonë dhe nga këtu do të dal në Top Formë. Për dijeni edhe orën e dorës që ma morën ditën që më rrëmbyen ma kthyen vetëm pas 10 ditësh.

2. Z. Meta në konferencat tuaja keni pasur një gjuhë të ashpër ndaj kreut të SPAK, a mendoni se shprehjet “DumDuman, palaço, ‘unë i bie më të fortit’”, e kanë rënduar pozitën tuaj dhe arrestimi juaj në mënyrën që ndodhi mund të ishte shmangur pasi policia pretendon se ju keni bërë rezistencë?

Ilir Meta: Kam qenë shumë i moderuar me Dumanin sepse përfshirja e tij kriminale në këtë proces kundër meje si President i Republikës (ka rihapur çështjen CEZ-DIA që para 5 viteve) dhe kryetar i Partisë së Lirisë është e provuar. Por këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një aspekt personal. Kur kam thënë regjimi i DumDumanit e kam bërë paralelizmin me regjimin e Tontonmakutëve në Haiti në kohën e diktatorit Duvalier. Dhe ajo që thashë u vërtetua me rrëmbimin tim nga tontonmakutët e Narkopolicisë pas urdhër-arrestit të paligjshëm të Dumanit. Pra Dumani është instrumenti i verbër ku mbështetet regjimi për të sulmuar kundërshtarët dhe trembur njerëzit. Dumani është si njeriu i ri i kohës së socializmit që i bindej verbërisht Partisë. Ose për ata që mbajnë mend Revolucionin Kulturor në Kinë, Dumani është Lej Feni ynë i “Drejtësisë së re” që deklaron publikisht se afërmendsh që gjykatat do të vendosin çfarë kërkojmë ne. Dhe ai ka të drejtë se edhe Prokurorinë edhe SPAK-un në veçanti edhe Gjykatat i kontrollon një dorë – Partia (Mafia).

Lajme të tjera |  Rama përplaset me gazetaren e CNN, gjatë intervistës për Zvërnecin: Po më akuzon për lajm të rremë, do më dëgjosh apo jo?

3. Nëse do t’u vinte nëpërmjet avokatit tuaj, vendimi i gjykatës dhe të krijoheshin kontaktet për një arrestim jo aq të bujshëm, do ta pranonit apo nuk do ta njihnit urdhrin e SPAK?    

Ilir Meta: Ju duhet ta dini se urdhi i SPAK-ut është i paligjshëm sepse bazohet te një ligj i vjetër i shfuqizuar 4 vite më parë. Sepse “Drejtësia e Re” për Berishën dhe Metën, por edhe plot kundërshtarë të regjimit punon me ligje të vjetra dhe përdor metoda edhe më të vjetra që s’kanë lidhje me shtetin e së drejtës, me procesin e rregullt ligjor dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Në liri ju kemi parë aktiv, herë në zhytje në det dhe herë të tjera teksa ngjisni male. A ndjeni mungesën e “maleve tona më të larta, ujërave tona më të kaltra”, apo besoni se shumë shpejt do t’u riktheheni udhëtimeve?    

Ilir Meta: Patjetër që do t’u rikthehem sepse nuk i kam ngjitur të gjitha malet e jashtëzakonshme të Shqipërisë. Dhe për këtë qëllim stërvitem çdo ditë edhe pse në kushte të vështira. Shpik çdo ditë ushtrime të reja. Disa m’i ka mësuar Ylli Bodinaku nga përvoja në Spaç.

Lajme të tjera |  VIDEO/ Nxehet Dash Sula, i bie tavolinës dhe bën për "ujë të ftohtë" inspektorët: Ne jemi fytyra e Qeverisë

Ju thoni se urdhri për arrestimin tuaj ka ardhur nga kryeministri Rama, në rast se ju do të ishit në vendin e tij, do ta jepnit “OK” për një arrestim në atë mënyrë të kundërshtarit tuaj politik?    

Ilir Meta: Urdhri për arrestimin tim ka ardhur nga disa drejtime por ekzekutori sigurisht është Rama me Dumdumanët e tij. Interesi për burgosjen time është i mafias ndërkombëtare që kontrollon Edi Ramën dhe realizon interesat e saj dhe përfitimet e jashtëzakonshme në kurriz të popullit dhe kombit tonë. Ky arrestim është një goditje ndaj opozitës së vërtetë por edhe ndaj sovranitetit të popullit shqiptar dhe shtetit tonë. Ky arrestim është një goditje ndaj zgjedhjeve të lira e konkurruese, siç është prej një viti edhe arresti në shtëpi i liderit të Partisë Demokratike, Z.Berisha apo edhe Nënkryetarit të grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji, etj. Ky arrestim u intereson të gjithë atyre që duan të mbyllin në heshtje një nga aktet më të rënda në historinë e shtetit shqiptar, siç është “Çështja e Detit” ku Edi Rama në mënyrë të vetëdijshme ka shkallmuar interesat sovrane të vendit në interes të palës tjetër duke dhunuar Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Po kështu përmes këtij arrestimi synohet të forcohet varësia e Shqipërisë ndaj faktorëve malinj rajonalë dhe në dëm të Kosovës. Ky arrestim ishte edhe hakmarrje për atë çmontim që i bëra botërisht e sidomos në Komisionin e Venecias demagogjisë për Drejtësinë e Re që polli vetëm Dvoranë dhe Dumanë në shërbim të Partisë./Top Channel

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us