REPORTAZHI: Në Dumre, për vaj ulliri e të tjera

Nga Hamdi Jupe

“Oborri i prapmë” i Tiranës

Është sezoni i vajit të ullirit, ndërsa rezervat tona shtëpiake janë duke shteruar. I shikoj në televizor kronikat e kolegëve nga terreni për punën e fermerëve të zonave ullishtore për të mbledhur prodhimin e ri. Në to flitet për mbarësi prodhmi, por edhe për probleme të mungesës së fuqisë punëtore për vjelje, për tarifa të larta që kërkojnë punëtorët, për çmimin e shitjes së vajit të ri etj. Një vit më parë vendi importoi 49 përqind të vajit të ullirit që iu desh për konsum. Kjo, sipas kronikave zyrtare. Për të ardhur keq, se Shqipëria ka sot mbi dymbëdhjetë milionë rrenjë ulliri gjithsej, ose gati pesë rrënjë për frymë, nga Shkodra në Konispol, pa çka se një pjesë nuk kanë hyrë ende në prodhim. Kështu e ka pema e ullirit: një vit të jep, një vit s’të jep. Vitin qe shkoi nuk na dha.

Jam nga Saranda dhe zakonisht e marr te njerësit e mi lëngun e bekuar. Por tani është dimër dhe mundet të na lërë makina dhe shendeti rrugëve. Edhe makina, edhe shëndeti ynë janë “me arrna”. Prandaj vendosim të marrim rrugën për Dumre, për t’i mbushur atje bidonat e tharë. Nuk kam qene asnjëhere në atë krahinë, sado që ajo eshte vetëm 30 minuta me makinë nga TEG-u i Tiranës. Është “obori i prapmë” i kryeqytetit pra. Nuk kam lënë vend pa shëtitur, nga Tropoja në Konispol, por në Dumre jo, s’më ka shkelur këmba. Kurioziteti për të parë këto anë të Shqipërisë së Mesme është një motiv më shumë për të çapitur deri atje.

Dumreja e Naimit dhe Samiut

Mendja merr fusha dhe male larg, larg nga kryeqyteti, nga brengat dhe thashethemet, nga rrëmuja dhe rrëmeti. Rremuja këtë radhë lidhet edhe një herë me datën dhe orën e çlirimit të vendit nga gjermanët 80 vite më parë, se jemi në ditët e fundit të nëntorit. Ne nuk pëfshihemi në këtë debat absurd. Ka tema më të rëndësishme se ajo për ta vrarë kohën. Ja përshembull, furnizimi me vajin e ri të ullirit për vitin që po vjen.

Lëmë majtas qytetin e Elbasanit dhe pak minuta na duhen për të hyrë në atë që quhet zona e Dumresë, me rreth dyzetë fshatra gjithsej. Në timonin e makinës sonë është një Profesor Doktor, i rropatur për pesëdhjetë vjet bujqësisë sonë. Prandaj, kur të shikoni të përmenden terma të agronomisë në këtë reportazh, dijeni se janë prej atij, jo prej meje. Vetë jam “gjindje pa shkollë” në atë fushë. Bujqësinë e takoj vetem në tavolinën e kuzhinës.

Një kthesë majtas dhe ja ku është. Një zonë e gjerë dhe e pamasë, e mbushur me kodra të buta, me ultësira plot pemë e bar, me rrugë të asfaltuara gjithandej, me shtëpi e vila të reja, të zbukuruara përreth nga ngjyra e verdhë dhe jeshile e portokalleve dhe mandarinave të pjekura. Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar, do thoshte Naimi. Ndërsa Samiu në veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” thoshte se këtu duhet të ngrihej kryeqyteti i Shqipërisë së mosvarur. E kishin vizituar ndonjëherë frashërllinjte ketë krahinë? Nuk besoj. Megjithatë, ajo ishte në mendjen e tyre.

Janë 80 liqene karstike në këtë zonë që i japin bukuri të rrallë asaj. Ato nuk duken të gjitha nga rruga, se janë të fshehura këtu e atje, në gropa pas kodrave, por ne e dimë se janë, i kemi parë në Google dhe na ndjellin t’i vizitojmë. Sot s’kemi kohë ti shohim të gjithë, na falni liqene, një herë tjetër, në pranverë a në vjeshtë, se këtu stinët janë të gjitha të bukura si te simfonia e Vivaldit. Sot kemi tjetër punë.

Pema e bekuar në Dumre

Kodrat e buta janë të veshura me blloqe ullinsh të rinj, të mbjellë këto vitet e fundit. Janë mijëra e mijëra rrënjë, sa të zë syri në horizont. Nuk kam parë ndonjëherë ndonjë krahinë tjetër të Shqipërisë me kaq shumë pemë ulliri. Fshatarët nuk kanë lënë cep pa mbjellë, edhe atje ku toka është “e perëndisë”. Nuk na

sheh syri ullinj shekullorë si në Vlorë e Sarandë. Pse kështu? Ndoshta ulliri nuk njihej në këto anë në kohët e shkuara dhe njerëzit jetonin vetëm me bagëti. Paradokse të atyre kohërave. Ndërsa në regjimin komunist kjo zonë ishte e destinuar vetëm për duhan dhe grurë. Gruri na duhej për të “çarë bllokadën” e bukës, ndërsa duhani për të zenë njerëzit me punë gjashtë muaj të vitit.

Lajme të tjera |  PAMJET TRAGJIKE/ Momenti kur Lamborghini digjet me Diogo Jotën dhe të vëllanë brenda tij (VIDEO)

Ndërkohë, ato toka ishin bërë nga perëndia për ullinj e portokalle. Terreni me kodra të buta i lejon erërat e ngrohta të Adriatikut të depërtojnë deri këtu dha ta mbajnë klimën të përshtatshme për bimët mesdhetare. Ky gabim me ullirin në të kaluarën, është korregjuar në vitet e demokracisë. Vetëm ministrja (e përkohshme) socialiste e bujqësisë tha, para dy vjetësh, se “janë mbjellë më shumë ullinj se ç’na duhen, prandaj po mbetet pa u shitur vaji i ullirit”. Ajo ministre nuk është më. Për fat të mirë, nuk ia mbaj mend as emrin.

Probleme, probleme…

Me vete kemi marrë bidonat që duam t’i mbushim me lëngun e bekuar që të zgjat jetën, se vetëm me reportazhin për gazetën nuk jetohet. Një udhë e tri punë pra. Ka studime që tregojne se jetëgjatësia e njeriut, rritet kur njerëzit konsumojnë gjithë vitin vaj ulliri. Në shtatorin e vitit 1975 ishim me studentët në Lukovë për muajin e aksionit. Çfarë pune na dhanë të bënim? Të pastronim sheshet poshtë kurorave të ullinjve, me qëllim, që punëtorët e vjeljes ta kishin më të lehtë mbledhjen e prodhimit në vjeshtë. Të marrësh një mijë studentë nga Shkodra e t’i çosh për të pastruar poshtë kurorave të ullinje në Sarandë na dukej një luks i madh. Por ja që ashtu ishte.

Sot vjelja e ullirit ka të tjera probleme. Kanë hyrë makineri e pajisje nga më modernet . Por “makineria” më e fuqishme është dora e njeriut. Pa këtë nuk i vjel dot ullinjte, kur ke me qindra rrënjë të tillë në pronësi. Rinia edhe në këtë zonë kanë ikur nga fshati në emigracion ose në Tiranë. Ata pleq që kanë mbetur , rropaten t’ia dalin mbanë, por edhe ata nuk do jenë më një ditë, se do të shkojnë në parajsë. Fermerët ankohen se nuk kanë fuqi punëtore, se edhe ata që janë, kërkojnë pagesë të lartë për të vjelë etj. Aq të mprehta janë këto probleme, saqë të zë koka po të rrish të mendosh për to, prandaj le të hidhemi te tema jonë, ajo e vajit.

Dehja nga atmosfera

Ndalesat tona janë te fabrikat e vajit. Edhe për sehir, edhe për pazar. Për këtë na “paguhet” dita e punës. Janë katër të tilla që i vizitojmë ne, “turistët” nga Tirana, pa mund të jenë edhe më shumë se kaq në atë zonë. Të gjitha, në punë me kapacitet të plotë. Fermerët mbajnë radhën për të bërë vajin në to. Njera më e mirë se tjetra. Kanë hyrë shumë fabrika të reja moderne vaji në vend këto vitet e fundit. Qeveria ka subvencionuar pronarët e tyre për t’u ardhur në ndihmë rritësve të ullirit.

Thasët me ullinj të rinj rrinë stiva në radhë, në pritje për t’u zbrazur në syloset e fabrikës. Makina dhe traktorë me rimorkio vazhdojnë të vijnë të mbushura me prodhimin e ri. Eshtë koha e pikut të vjeljes dhe kjo zonë ka punë deri nga fundi i janarit. Ja tek hidhet ulliri në një gropë; pastaj ja tek lahet dhe pastrohet me ujë; ja tek bluhet dhe bëhet brumë; ja tek veçohet vaji nga bërsitë dhe uji; ja tek bie lëngu me ngjyrë floriri në bidonin bosh. Zhurma e fabrikës më ngjan si muzikë. Më deh kjo muzikë e prodhimit të vajit, megjithëse nuk e kam për here të parë që e shoh. Jam lindur nën hijen e ullinjve.

Tani është duke u shtypur një lloj ulliri italian a spanjoll, me kokërr të hollë. Ky është mbjellë në vendin tonë pas vitit nëntëdhjetë. Më parë njihnim “kalinjotin” dhe ullirin kokërrmadh të Beratit. Ky kokërrgjati i ri piqet i pari për vaj. Pastaj vijnë llojet e tjera. Ai jep më pak vaj se ulliri tradicional, por prodhon shumë kokërr, prandaj aty – aty u del fshatarëve.

Lajme të tjera |  “Të gjithë drejtorët jashtë”/ Takimi me tone të ashpra në Bashkinë e Vlorës, zbardhet mesazhi i Ramës gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura

Oferta dhe kërkesa

Te fabrika e katërt e vajit që vizitojmë, me emrin “Dumreja”, pranë qytetit të Belshit, vendosim të hyjmë në veprim. Tani mendojmë se e kemi studjuar tregun. Pyetja e parë është ajo: ku dhëmb dhëmbi, vete gjuha. Se jemi dava pensionistësh, a e kuptoni ju! Shprehje prozaike: sa lekë shitet litri i vajtit të ullirit?

Për çudinë tonë, çmimi ishte 600 lekë (të reja) litri. Ky është lajmi. Ishim të përgatitur të paguanim më shumë. Ne tregjet e pakicës në Tiranë vaji i ri shitet me 800 lekë litri dhe nuk dihet se ç’mall është. Kishim shpresuar se këtu do ta kapnim me 700 lekë, por jo. Llaf nga “brenda” ky. Oferta kishte dominuar mbi kërkesën, prandaj çmimi ishte ulur, të paktën atë ditë që ishim ne atje. Por edhe më tej, deri në fund të sezonit, besoj se ky çmim do të mbetet atje. Sidoqoftë, kjo puna e blerjes së vajit nuk duhet lënë për në fund, se nuk i dihet. Pronari që na shet mallin thotë se ka 500 rrënjë ullinj.

Pazari i mbarë për ne ndoshta nuk është po aq i mbarë për fermerët që rropaten gjithë vitin pas ullinjve, derisa të vijnë në fabrikë. Ata ankohen për kosto të larta të prodhimit dhe fitime të ulta nga shitja. Por kjo nuk ishte objekt i punës sonë atë ditë. I mbushim bidonat 30 litërsh dhe çitemi me buzëqeshje me shitësin. Është vaj ekstra i virgjër, domethënë cilësia e parë. Kështu është vaji në muajin nëntor. Pastaj cilësia e tij zë e bie, se rritet aciditeti etj, etj.

Drekë në restorantin “Te arra”

Meqë dolëm “me fitim” nga pazari i vajit, na kanë tepruar ca para dhe nuk duam t’i kthejmë prapë në Tiranë, prandaj mendojmë ta kalojmë drekën këtej, nga Dumrea. Duhet festuar çmimi dhe cilësia e lartë e vajit. Kemi dëgjuar për një restorant me emër të çuditësh këtej: “Te arra”. Pyesim dhe na tregojnë se nga duhet të shkojmë. Ndodhet pranë qytetit të Cerrikut.

Është një kompleks i madh agrobisnesi ky. Një sipërfaqe rreth 40 hektarë, e mbjellë me arra për kokërr. Arrat tani kanë hyrë në prodhim. Thasët me prodhim të ri të tyre janë aty ke kioska në hyrje të kompleksit për shitje. Në krye të bllokut me arra, një restorant që mban emrin e mësipërm. Një numër i madh makinash luksoze të parkuara para tij tregojnë se ato nuk janë të fshatarëve të këtushën dhe kjo nuk është një bujtinë e zakonshme. Parkingu gjigand gjithashtu është i mbuluar nga degët tashmë të zhveshura të arrave, në vend të pemëve dekorative. Restoranti brenda merr mbi një qind klientë, por ai është i rrethuar edhe nga mjedise të jashtme që përdoren nga bujtësit në verë.

Duket se investimi i madh këtu është bërë me mbështetjen e shtetit. Ia vlen të investohet në vepra të tilla. Duhet të jenë të punësuar nja pesëdhjetë persona këtu, në mos më shumë, që nga kuzhinierët, kamarierët, furnizuesit, rojet, shoferët, pastrueset etj. Të gjithë këta, të veshur me kostume kombëtare, se janë festat e fundit të nëntorit. Në krye të restorantit është i vendosur flamuri kombëtar.

Ia vlen të bëhen investime të tilla. Ato janë pasuri kombëtare. Janë disa dhjetëra të tillë nëpër Shqipëri. Paçim kohë e jetë të gjatë t’i vizitojmë. Ata që vazhdojnë të gricen me datën dhe orën e çllirimit në Tiranë, do t’i këshilloja të merrnin një herë rrugën për në Dumre, që të kjellonin trutë e turbulluara në këto anë.

Një tavë me jufka me pulë fshati të pjekur është krenaria e drekës sonë në këtë restorant. Thjesht, ia vlen ardhja këtu, sidomos në vjeshtë, kur kokrrat e pjekura të arrave bien mbi xhamat e makinave të parkuara para restorantit. Le ta thyejë xhamin e makinës sime të vjetër një kokërr arrë e pjekur. Por këtu është bukur në çdo stinë, si te simfonia “Katër stinët” e Vivaldit. Marrim rrugën për Tiranë. Është vetëm një gjysmë orë kthimi.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us