Damian Gjiknuri ka refuzuar që të komentojë deklaratat e Arben Ahmetajt, se është shkarkuar nga posti i sekretarit të përgjithshëm për shkak se i kishte dalë atij në mbrojtje.
Teksa po diskutonte me gazetarët për Reformën Zgjedhore, ai tha se ka dhënë çdo shpjegim në lidhje me dijeninë e tij për inceneratorët, dhe çështjet e brendshme të PS-së do të vendosë që ti shkruajë si kujtime gjatë kohës kur do të ketë dalë në pension politik.
Gjiknuri: Nuk ka çfarë të bëjë me mua, këtu jemi për Reformën Zgjedhore. Kur të shkruaj… shpjegimet e mia i kam dhënë në një konferencë për shtyp, kur të dal në pension do të shkruaj kujtimet e mia.
Çfarë tha Arben Ahmetaj: “Damian Gjiknuri, një nga arsyet se pse nuk është Sekretar i Përgjithshëm është se i ka thënë Edi Ramës, që ajo që po ndodh me Ahmetaj është shkelje proceduriale nga ana e SPAK, së dyti është e gabuar. Kjo është arsye se pse ka ikur nga Sekretari i Përgjithshëm”.
Në një intervistë televizive të dhënë pak ditë më parë, Arben Ahmetaj la të kuptonte se Damian Gjiknuri ishte një nga të paktit njerëz në kupolën drejtuese të PS+-së që i kishte dalë në mbrojtje. Por vetë Gjiknuri ka preferuar sot që Ahmetajn ta lëjë të vetëm në betejën e tij me kryeministrin Edi Rama dhe jo vetëm.
Të enjten e kaluar, ish-numri 2 i qeverisë Arben Ahmetaj, në një intervistë televizive hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, për të cilin tha se donte që ta bënte kokë turku, për t’i shpëtuar përgjegjësisë për inceneratorët. Ahmetaj tha gjithashtu se Erion Veliaj është pronari faktik i inceneratorit të Tiranës. Vetë ai dyshohet se po qëndron në Zvicër ku ka nisur dhe procedurat për marrjen e azilit. Pavarësisht se akuzat e tij ishin direkte dhe të forta, e madje hodhi dhe dyshime se ishte kërcënuar me jetë, nga socialistët në pushtet nuk ka pasur deri tani asnjë reagim. Mbetet të shihet nëse Rama do ta pranojë apo jo kërkesën e opozitës për interpelancë në Kuvend.