Anëtarja e Kryesisë së PD-së, Edit Harxhi, ka komentuar fitoren e Donald Trump në SHBA dhe sesi do të ndikojë presidenca e tij në rajonin tonë.
Në studion e emisionit ‘Kjo Javë’, Harxhi tha se triumfi i Trump është fitore mbi të keqen, pasi sipas saj Shqipëria “ka shërbyer si laborator eksperimentesh, veçanërisht nga George Soros”.
“Mos shikoni vetëm opozitën në Shqipëri, kudo në botë, konservatorët janë entuziazmuar, pasi ishte një fitore mbi të keqen. Shqipëria ka shërbyer si laborator eksperimentesh, veçanërisht nga George Soros dhe fondacioni për “Shqipërinë e hapur” i financuar nga filantropi. Po të shihni janë disa pika kyçe që janë avancuar në Ballkan në vitet e fundit që çuditërisht kanë dalë nga zyrat e fondacionit Soros. E para është këmbimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. E dyta është “Open Balkan” dhe e treta është reforma në drejtësi, që në vitin 2015 doli si projekt i këtij fondacioni”, tha Harxhi.
E pyetur nëse administrata e Trump do ta rishikojë vendimin për shpalljen non grata të Sali Berishës, Harxhi e pohoi.
“Z.Berisha ndodhet në arrest politik, ndërsa Trump u përball me akuza të frikshme. Sekretari i ri i Shtetit, Marco Rubio në letrën që i drejtonte Presidentit Joe Biden në shkurt 2024, flet për këtë fenomen, përdorjen e sanksioneve kundër politikanëve të djathtë. E gjithë skema e sanksioneve do të rishikohet. Mendoj se është një çështje administrative në DASH. Z. Berisha është kontrolluar, por nuk është gjetur asgjë, ndaj dhe vendimi ndaj ish-Kryeministrit është administrativ. Kemi Lee Zeldin që është pjesë e Qeverisë së re në SHBA, ish-kongresmeni që ishte i pari që kërkoi nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, dosjen e Sali Berishës, dhe nuk i është dhënë, dhe i fundit është drejtori i ri i CIA-s, John Ratcliffe, që është mi i shqiptarëve dhe është në dijeni të gjithë zhvillimeve mbi përdorjen e Shqipërisë si një laborator dhe sulmit të madh që i është bërë opozitës”, tha Harxhi.