Kur lajmi për vdekjen e diplomatit në karrierë Henry Kissinger u përhap këtë javë, shumë ish-liderë botërorë u rreshtuan për të shprehur ngushëllime. Ish-presidenti i SHBA-së Xhorxh W Bush tha se SHBA-ja kishte humbur një nga zërat më të besueshëm dhe më të veçantë në çështjet e jashtme.
Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair e përshkroi ish-sekretarin Amerikan të Shtetit si një artist të diplomacisë, i cili ishte i motivuar nga një dashuri e vërtetë për botën e lirë dhe nevoja për ta mbrojtur atë. Boris Johnson e quajti Kissingerin një gjigant të diplomacisë dhe strategjisë – dhe paqebërjes. Por ‘paqebërës’ nuk është një term që ka të ngjarë ta dëgjoni shumë në Kamboxhia për Henry Kissinger.
Gjatë Luftës së Vietnamit, Kissinger dhe presidenti i atëhershëm Richard Nixon urdhëruan bombardime klandestine në Kamboxhian neutrale, në një përpjekje për të larguar forcat e Viet Kongut në lindje të vendit. Në total, SHBA hodhi më shumë se 2 milion ton bomba në Kamboxhia nga vitet 1965-1973. Për krahasim, aleatët hodhën pak më shumë se 2 milion ton bomba gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë bombat që goditën Hiroshimën dhe Nagasakin. Kissinger pohoi se bombardimi kishte për qëllim të godasë ushtrinë vietnameze brenda Kamboxhias, jo vetë vendin.
Një raport i Universitetit Yale të vitit 2006, titulluar ‘Bombat mbi Kamboxhia’, deklaroi se Kamboxhia mund të jetë vendi më i bombarduar në histori. Një raport i Pentagonit i lëshuar në vitin 1973 thoshte se Kissinger miratoi secilin nga 3875 sulmet e bombardimeve në Kamboxhia në 1969 dhe 1970, si dhe metodat për t’i mbajtur ato jashtë raportimit të gazetave. “Është një urdhër, duhet bërë. Duhet kontrolluar çdo gjë që fluturon dhe që lëviz”. Këto fjalë i tha Kissingeri, një deputeti në vitin 1970, sipas transkripteve të deklasifikuara të bisedave të tij telefonike. Numri i njerëzve të vrarë nga ato bomba nuk dihet, por vlerësimet variojnë nga 50,000 deri në 150,000.
Një nga ngjarjet më famëkeqe ishte bombardimi aksidental i qytetit të vogël të Neak Luong, ku të paktën 137 kamboxhianë u vranë dhe 268 të tjerë u plagosën. Një raport i New York Times nga Sydney Schanberg, i cili më vonë u portretizua në filmin Killing Fields, citonte një burrë të quajtur Keo Chan, gruaja dhe 10 fëmijët e të cilit sapo ishin vrarë. “E gjithë familja ime ka vdekur!”, qau ai. “E gjithë familja ime ka vdekur! Bëj foton time, bëj fotografinë time! Lëri amerikanët të më shohin se çfarë kanë bërë e në ç’gjendje jam”, u shpreh ai. Një burrë tjetër qëndroi pranë një bombe të pashpërthyer në qytet e thjesht pyeti: “Kur do të na hiqeni ju amerikanët?”
Bombat e pashpërthyera amerikane mbuluan fshatrat kamboxhiane, duke gjymtuar dhe vrarë njerëz për dekadat e ardhshme. Shumë thonë gjithashtu se një tjetër pasojë e fushatës së bombardimeve të Nixon dhe Kissinger ishte se ajo ndihmoi në hapjen e rrugës për një nga gjenocidet më të këqija të shekullit të 20-të. Rreth 1.7 milion njerëz vdiqën në duart e Kmerëve të Kuq të udhëhequr nga Pol Pot midis 1975 dhe 1979 – pothuajse një e katërta e popullsisë. Para kësaj, ultra-komunistët kishin pak mbështetje, por mbështetja për ta u rrit, me rënien e bombave amerikane.
Drejtori i operacioneve të CIA-s raportoi në vitin 1973 se forcat e Khmerëve të Kuq po përdornin me sukses dëmtimet nga sulmet e avionëve B-52 si temën kryesore të propagandës së tyre. Në vitin 2009, zyrtari i parë i Kmerëve të Kuq që u gjykua për krime të kryera nën sundimin e terrorit të regjimit i tha gjykatës së mbështetur nga OKB: “Z. Richard Nixon dhe Kissinger lejuan që Kmerët e Kuq të gjenin mundësinë e tyre të artë”. Kissinger gjithmonë i mohoi kritikat në lidhje me bombardimin e Kamboxhias. “Unë thjesht doja të bëja të qartë se nuk ishte një bombardim i Kamboxhias, por ishte një bombardim i Vietnamezëve të Veriut në Kamboxhia”, tha ai në 1973. Kur ai ishte 90 vjeç, pretendoi se bombat u hodhën vetëm në zonat brenda pesë miljeve nga kufiri vietnamez, që ishin në thelb të papopulluara.
Elizabeth Becker, një gazetare amerikane që mbuloi fushatën e bombardimeve në 1973, tha se nuk ishte kështu. “Së pari ju intervistuat refugjatët, ndërsa po largoheshin nga bombardimi, pastaj nëse shkonit te vendi ku janë kryer bombardime – do të shihnit kufoma, do të shihnit shtëpitë e djegura, fushat e orizit të shkatërruara”, tha ajo për BBC.
“Banorët e panë shkatërrimin dhe menduan: pse kjo forcë ajrore moderne po bombardonte fshatrat kaq shumë? Në ato ditë fermerët e Kamboxhias as që ishin mësuar të shihnin avione, ata më thoshin në mënyrë rutinore: ‘Pse po bie zjarr nga qielli?'”. Pen Yai, 78 vjeç, bashkëpunoi me Viet Kongun brenda Kamboxhias përpara se të fillonin bombardimet, por tha se një numër i madh civilësh u vranë nga bombat amerikane, duke përfshirë babanë dhe kunatin e tij. “Isha shumë i frikësuar dhe nuk mund të flija. Njerëzit vdisnin kudo. Ne vrapuam dhe njohëm njerëz që ishin vrarë… nuk mund të bënim asgjë,” tha ai.
Shumë liderë botërorë e kanë lavdëruar Kissingerin, i cili fitoi çmimin Nobel për paqen në vitin 1973 për rolin e tij në negocimin e përfundimit të luftës së Vietnamit dhe më vonë iu dorëzua Medalja Presidenciale e Lirisë – çmimi më i lartë civil i Amerikës.
Por pakkush që ishte në Kamboxhia në vitet 1970 do ta kujtojë me dashuri trashëgiminë e tij. Prum Hen, 70 vjeçe, u detyrua të largohej nga fshati i saj, kur bombat amerikane filluan të binin sikur të ishte një shi. Ajo tha se dinte pak për Kissinger dhe ndjeu pak simpati kur u informua për vdekjen e tij. “Lëreni të vdesë sepse vrau shumë njerëz tanë”, tha ajo, duke shtuar se ende ndjen pakënaqësi të thellë ndaj SHBA-së. “Ata bombarduan vendin tonë, duke vrarë shumë njerëz dhe duke i ndarë njerëzit nga fëmijët e tyre. Më vonë, Kmerët e Kuq vranë burra, gra dhe fëmijë”, shton gruaja e moshuar. Sipas saj, bombardimet në Kamboxhia ishin çnjerëzore./BBC – Zëri.ai/