Përpjekjet për ta bërë jugun me diell një vatër të hidrogjenit “të gjelbër”
Turistët në Majorka tani mund të mrekullohen nga një pikë e re tërheqëse në ishullin mesdhetar: një ekonomi në miniaturë e energjizuar tërësisht nga hidrogjeni “i gjelbër”.
Në zemër të ishullit, dy impiante diellore fuqizojnë një elektrolizator, që ndan ujin në oksigjen dhe hidrogjen, duke krijuar karburant pa karbon.
Hidrogjeni mund të vërë më pas në lëvizje autobusët, të injektohet në rrjetin e gazit të ishullit dhe të mundësojë karburant për hotelet dhe portin.
“Projekti tregon se çfarë është e mundur”, thotë Belén Linares, kreu i risisë në kompaninë e energjisë së ripërtëritshme Acciona Energía, që është një nga investitorët e projektit, shkruan The Economist .
Ka një pengesë: hidrogjeni ende nuk është materializuar. Për shkak të një defekti në projekt, elektrolizatori, i prodhuar nga firma amerikane Cummins, është pezulluar.
Importimi i hidrogjenit të gjelbër, i cili rrjedh nga burime të ripërtëritshme nuk është praktik. Autobusët dhe qelizat e karburantit mbeten ende të papërdorura.
Qeveria vendase e sapozgjedhur gjithashtu nuk duket e interesuar për projektin. Administrata e mëparshme bëri “premtime të kota”, sipas një citimi në shtypin lokal nga kryebashkiaku i ri i Palmës, kryeqyteti i ishullit Majorka.
Atëherë, bëhet fjalë për mundësi të pakufishme apo premtime të kota?
Kjo pyetje vlen edhe për ekonominë më të gjerë me hidrogjen të gjelbër, që qeveritë europiane duan të krijojnë në Mesdhe, duke e kthyer rajonin në një vend të furnizuar me energjinë diellore, ndryshe nga rajoni i furnizuar me energjinë e erës në Detin e Veriut.
Përfitimet e mundshme janë të mëdha. Nëse planet për centralin jugor të Europës shkojnë mirë, ato do t’i japin kontinentit qasje në energji të ripërtëritshme me çmim të lirë dhe do ta lejojnë të pastrojë industrinë e rëndë që lëshon karbon.
Mesdheu ka qenë gjithmonë një kanal për energji. Që nga koha e sundimit romak e deri në shekullin XIX, fuqia punëtore përfaqësohej nga skllevërit.
Sot, si burim përdoret kryesisht gazi natyror. Një gjysmë duzinë tubacionesh lidh Europën me Afrikën dhe Lindjen e Mesme. BE-ja varet nga ky rajon për më shumë se një të tretën e importeve të gazit natyror.
Në epokën e tanishme të energjisë së ripërtëritshme, vendet në Mesdhe janë të privilegjuara sepse kanë ndër kushtet më të mira në planet për prodhimin e energjisë.
Kapaciteti i energjisë diellore është mjaft i madh (shih hartën). Spanja konsumon një mesatare ditore prej 4.6 kilovat/orë (kwh) dritë dielli për metër katror dhe Maroku 5.6 kwh, sa dyfishi i asaj që mund të përdorë Gjermania.
Duke qenë se popullsia e këtyre vendeve nuk është e dendur, Spanja dhe Portugalia kanë tokë të mjaftueshme për instalime të tilla, po ashtu edhe shkretëtirat e Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme.
Në disa pjesë të Marokut dhe Mauritanisë, dielli dhe era janë të bollshme dhe në këto vende, elektrolizatorët mund të funksionojnë pothuajse pa ndërprerje.
“Ka vetëm dhjetë vende të tilla në mbarë botën”, shpjegon Benedikt Ortmann, i cili drejton biznesin e energjisë diellore të kompanisë gjermane BayWa, që operon në fushën e energjisë dhe ndërtimit.
Përdorimi i rezervuarit të energjisë së ripërtëritshme nuk është një ide e re. Në fillim të viteve 2000, Desertec, një shoqatë e mbështetur nga dhjetëra korporata kryesisht gjermane, propozoi idenë për të instaluar impiante gjigante diellore në Sahara.
Por kjo ide u venit shpejt, për shkak të kostove të larta të teknologjisë. Falë zhvillimit të mjeteve më të mira dhe më të lira për grumbullimin e rrezeve të diellit, ideja është ringjallur.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Ripërtëritshme, kostoja mesatare e energjisë elektrike nga centralet diellore, ra nga 0,45 dollarë për kwh në vitin 2010, në 0,05 dollarë vitin e kaluar.
Transporti
Transportimi i energjisë në veri, ku nevojitet, tani është gjithashtu më i realizueshëm se më parë. Plani i Desertec përfshinte kabllo nënujore, të cilat kanë kapacitet të kufizuar.
Por tani elektrolizatorët e lirë dhe efikasë, mund ta shndërrojnë energjinë elektrike në hidrogjen, që në burim. Më pas, ai mund të transportohet si gaz ose derivat, siç është amoniaku i lëngshëm.
Analistët presin që brenda pak vitesh, hidrogjeni i gjelbër nga Afrika e Veriut do të kushtojë nën 1.50 dollarë për kilogram, ndoshta duke e bërë atë më të lirë se hidrogjeni “blu”, i cili rrjedh nga gazi natyror dhe kërkon që karboni që përftohet, të kapet dhe të ruhet.
Kërkesa për energji nga jugu, tashmë ka më shumë gjasa që të bëhet realitet. Hidrogjeni dhe derivatet e tij do të nevojiten si lëndë ushqyese pa karbon për industrinë e çelikut dhe kimikateve të Europës.
Nga objektivi prej 20 milionë tonësh që BE-ja ka vendosur deri në vitin 2030, një pjesë e mirë e sasisë do të vijë nga skaji jugor i Europës dhe Afrika Veriore.
Megjithatë, pozicioni i Mesdheut si fuqia jugore e Europës, nuk është i garantuar. Europa duhet të hapë një treg për një burim të ri energjie dhe duhet ta bëjë këtë në një skenë ndërkombëtare ku garojnë shumë lojtarë.
“Dilema është pak a shumë si pyetja nëse doli në fillim pula apo veza”, thotë Kirsten Westphal nga Shoqata Gjermane e Industrive të Energjisë dhe Ujit, një grup lobimi. Rritja e njëkohshme e kërkesës dhe ofertës është një akt delikat baraspeshues.
Kompanitë ngurrojnë që të zotohen për të nënshkruar marrëveshje afatgjata të blerjes nëse nuk janë të sigurta për disponueshmërinë dhe çmimin e hidrogjenit në të ardhmen.
Kjo nga ana tjetër, i shkurajon prodhuesit që të marrin vendime të rëndësishme për investime. Këtu nuk ndihmon fakti që paqëndrueshmëria politike në Afrikën e Veriut mund të rrisë rreziqet dhe rrjedhimisht, koston e kapitalit.
Megjithatë, problemi më i madh është lidhja e të dyja palëve të tregut, që duhet të fillojë me vendosjen e lidhjeve fizike.
Pjesa më e madhe e hidrogjenit fillimisht duhet të transportohet me anije, ndoshta në formën e amoniakut (hidrogjen i lëngshëm, i cili duhet të mbahet në temperaturë -253°C dhe është e vështirë të zhvendoset nga një vend në tjetrin).
Por kapaciteti i transportit është i kufizuar. James Kneebone, nga Shkolla e Ligjeve Rregullatore e Firences, vlerëson se, edhe nëse do të ishte teknikisht e mundur, përdorimi i së gjithë flotës së tanishme globale të anijeve për transportimin e gazit natyror të lëngshëm, mund të prodhonte vetëm rreth 6.5 milionë tonë në vit. Kjo do të thotë se duhen përdorur edhe tubacione për sasi shtesë.
Shpresat për tubacione të reja
Ekspertët nuk bien dakord nëse rrjetet e tanishme të gazit mund të përmirësohen për të mbajtur hidrogjen, apo nëse duhen ndërtuar tubacione të reja.
Trazirat gjeopolitike mund të pengojnë investimet në tubacione dhe prodhimin e hidrogjenit. Tre korridoret e zgjedhura nga BE-ja, përmes të cilave mund të kalojë hidrogjeni në pellgun e Mesdheut, shtrihen në një territor problematik.
Hidrogjeni i dërguar nga Mauritania, idealisht duhej të kalonte përmes Saharasë Perëndimore, por ka mosmarrëveshje në lidhje me kontrollin e Marokut mbi rajonin. Një alternativë që po shqyrtohet është krijimi i një rruge në det të hapur, përmes Ishujve Kanarie.
Pasi të ndërtohen, tubacionet mund të rrezikohen edhe nga ndërhyrjet politike. Në nëntor 2021, marrëdhëniet e vështira midis Algjerisë dhe Marokut, çuan në një ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike dhe ndërprerje të rrjedhës së gazit përmes tubacionit Magreb-Europë, i cili lidh fushat e gazit të Algjerisë me Spanjën.
Edhe brenda Europës, gjërat janë të ndërlikuara. Një marrëveshje për një tubacion nënujor që lidh Barcelonën me Marsejën, nga ku hidrogjeni mund të transportohej përmes infrastrukturës së tanishme, nga Spanja në Gjermani, përmes Francës, mund të shkaktojë ndonjë grindje midis Gjermanisë dhe Francës në lidhje me çështjen nëse energjia bërthamore duhet të konsiderohet “e gjelbër”.
Për më tepër, kompania franceze Air Liquide, që është prodhuesi më i madh në botë i gazrave industrialë, po lobon fort kundër këtij projekti që do të zhvlerësonte rrjetin e saj të tubacioneve të hidrogjenit.
Europa nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përballet me problemet e panumërta, nëse dëshiron të përmbushë synimet ambicioze për të ulur emetimet e karbonit.
Hapat e ndërmarrë deri tani, përfshijnë një sërë nismash nga Komisioni Europian, duke filluar nga një “përshpejtues hidrogjeni” për të përhapur përdorimin e gazit, e deri në një “bankë europiane të hidrogjenit” për të nxitur tregtinë.
Më e rëndësishmja, komisioni ka lejuar fluksin e subvencioneve, duke lehtësuar rregullat e ndihmës shtetërore, në mënyrë që vendet anëtare të mund të mbështesin kompanitë në përpjekjet e tyre për dekarbonizim.
Janë caktuar gjithashtu fonde për tubacionet e hidrogjenit, si një lidhje prej 3,300 km nga Algjeria dhe Tunizia, në Austri dhe Gjermani. Projektet e hidrogjenit në Afrikën e Veriut do të marrin investime nga institucione si Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
A po ecet me ritmin e duhur
Disa shtete anëtare duan të përparojnë më shpejt. Spanja dhe Portugalia kanë hartuar strategji kombëtare ambicioze me synimin për të shndërruar Gadishullin Iberik në një qendër të gjelbër me hidrogjen.
Gjermania, e cila duhet të importojë deri në 70% të hidrogjenit të nevojshëm për të dekarbonizuar industrinë e fuqishme të rëndë, ka bërë përpjekje shumë të mëdha në këtë drejtim.
Vendi ka investuar mbi 8 miliardë euro (8.6 miliardë dollarë) për të ndihmuar firmat të bëhen më ekologjike dhe më 14 nëntor, qeveria njoftoi subvencione të mëtejshme për ndërtimin e një rrjeti tubacionesh hidrogjeni.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë shpalli “diplomacinë e hidrogjenit”, që nënkupton ndërtimin e një gjysmë duzine “ambasadash hidrogjeni” në disa shtete kyçe. Kohët e fundit, Ministria e Çështjeve Ekonomike ofroi për herë të parë fonde për H2Global, një platformë për tregtimin e hidrogjenit.
Më e rëndësishmja, Gjermania duket se e pranon faktin se për të marrë, duhet edhe të japë.
Ajo ka ofruar ndihmë në instalimin e impianteve diellore dhe fermave të elektrolizatorëve në Afrikë dhe është e gatshme të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e rrjeteve dhe ndërtimin e impianteve të shkripëzimit (elektrolizatorët kanë nevojë për shumë ujë të pastër).
Me kalimin e kohës, Gjermania mund të pranojë se disa pjesë të industrisë së saj të rëndë, mund të zhvendosen atje ku prodhohet hidrogjeni. “Harta industriale ndjek gjithmonë hartën e energjisë”, vëren Simone Tagliapietra nga Instituti kërkimor Bruegel.
Skema të tilla janë jetike që Gjermania të shmangë varësinë energjetike nga regjimet e paparashikueshme autoritare, siç bëri me Rusinë për gazin.
“Për të shmangur një përsëritje të historisë edhe me hidrogjenin, Gjermania duhet të ndërtojë ortakëri të vërteta”, thotë Andreas Goldthau nga Universiteti Erfurt.
Nëse gjithçka shkon sipas planit dhe jugu i Europës merr vrull, vende si Majorka do të jenë të zhurmshme jo vetëm për shkak të plazheve dhe jetës së natës, por edhe për shkak të energjisë nga elektrolizatorët e hidrogjenit.
Përktheu: Lira Muça