A mund të jetë pakti Rama-Meloni pozitiv për Shqipërinë ?

Në vitin 1906 në ndërrmarjet e fijes së pambukut në SHBA punonin këmbëzbathur fëmijë 6 vjeçarë; në 1913 në SHBA vdesin ose plagosen rëndë në punë gati 800 mijë punëtorë pa ndonjë pasojë për kompanitë që majmen nga puna e tyre. Vetëm pas Depresionit të Madh të 1929 dhe New Deal në 1933, punëtorët fituan të drejtën të krijojnë sindikata dhe të kërkojnë rritje rrogash. SHBA nuk janë ende sot parajsa e paqes sociale, ama të drejtat e punonjësve janë të pakrahasueshme me 90 vite më parë.

E gjitha kjo sa për të kujtuar se një situatë që sot duket e pamundur e ndoshta e pakuptimtë, mund të evoluajë pozitivisht nëse mbizotërojnë vullneti politik dhe sensi i të mirës publike.

Pakti i kryeministrave Rama dhe Meloni mbi trajtimin në kampe në Shëngjin të rreth 30 mijë emigrantëve në vit, mund të duket sot i pakuptimtë dhe i panevojshëm. Por për Shqipërinë ai është një hap në drejtimin e duhur për të paktën dy arsye.

Arsyeja e parë është angazhimi I Shqipërisë në procesin e integrimit europian që prej vitit 2006 me marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit. Prej 17 vitesh Shqipëria bën njëfarësoj detyrat e shtëpisë, për tu bërë mbase një ditë pjesë e familjes europiane. 17 vite janë sidoqoftë jo pak, që edhe të marrësh përgjegjësi për familjen, proporcionalisht me takatin dhe përmasat e vendit.

Shqipëria kontribuon tashmë sot në dy çështje madhore për Europën : në sigurinë e kufijve dhe hapësirës europiane si anëtare e Nato-s dhe në autonominë energjitike të Europës me garancinë për transportin e gazit nga Azerbajxhani ; nesër ndoshta edhe më shumë me mix-in energjitik të gjelbër diellor dhe hidrik.

Solidaritet me familjen Europiane për emigracionin

Shqipëria ka mundësinë të kontribuijë në një cështje të tretë madhore të Europës, në cështjen e emigracionit e cila ngjall emocione negative kudo, në cdo vend. Në këtë kontekst, komentet në rrjetet sociale shqipfolëse mbi paktin Rama-Meloni për trajtimin e një numri emigrantësh në Shëngjin, janë përgjithësisht humoristike ndonëse me doza serioze racizmi. Situatë e pritshme kjo në Shqipëri ku popullata është etnikisht homogjene, ka emigruar jashtë vendit gjerësisht ne 30 vitet e fundit, por pak është hasur me emigrim hyrës në Shqipëri. Mjafton të shikojmë Italinë e cila ka qenë në një situatë të ngjashme me ne pas Luftës së Dytë Botërore dhe ende sot e ka të vështirë pranimin e emigrantëve, sidomos kur janë të një feje apo rrace të ndryshme.

Në shumë vende të tjera të BE, frika nga emigracioni është motorri elektoral i ekstremeve të djathtë, në Francë, në Gjermani, në Hungari, në Poloni etj. Ndërkohë për arsye ekonomike e klimatike, për tu larguar nga luftrat dhe nga shtypja e të drejtave individuale, lëvizjet e popullsive drejt BE me gjasa do të intensifikohen në vitet në vijim.

Shqipëria për nga pozicioni gjeografik në brigjet e Mesdheut e në rrugën e kalimit nga Lindja e Mesme drejt Europës, është dhe do të vijojë të jetë e prekur nga lëvizjet e popullsisë.

Pakti Rama-Meloni është një hap në drejtimin e duhur, duke u bëre solidarë në një problem që prek gjithë kontinentin, duke marrë pjesën tonë të vogël tek një problem me përmasa shumë më të mëdha, duke mos qenë më vetëm një « vend kandidat për BE » por pjesëtar i familjes që sjell konributin e vet sipas takatit.

Të mos harrojmë që Turqia, e cila është ende formalisht në procesin e integrimit në BE (procesi është I ngrirë në mënyrë të dyanshme) që prej marsit 2016 vitesh zbaton një pakt emigrimi me BE, duke mbajtur në territorin e vet emigrantë kryesisht sirianë në shkëmbim të kapitalit politik e financiar.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us